Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lekaj: Qeveria Kurti ka lënë anash ekonominë e vendit

Grupi i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK) ka kërkuar debat parlamentar lidhur me ngritjen enorme të çmimeve.

Prezantimi i këtij debati është prezantuar nga deputeti Pal Lekaj.

“Ideja dhe nevoja e këtij debati është që të diskutohet lidhur me ngritjen e çmimeve dhe mos stabilitetin ekonomik e shoqëror që është shkaktuar si pasojë e rritjes së vazhdueshme dhe të përnjëhershme të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve në gjithë sektorët e ekonomisë”, ka thënë ai.

Sipas tij qeveria Kurti e ka prioritet agjendën politike dhe se ekonomia e problemet shqetësuese janë lënë anash nga qeveria.

“Kjo nuk falet nga askush sepse kjo bie mbi qeverinë Kurti, sepse kjo qeveri nuk kaloi ligjin e pagave për mbi 80 mijë punëtorë të shërbimit civil, nuk ngriti pagën minimale, nuk ka strategji për hapjen e vendeve të punës dhe nuk ka vizion e ide se si ta ndal emigrimin nga Kosova”, tha deputeti i AAK-së.

Lekaj gjatë fjalimit të tij tha se duhet të ketë ndërhyrje të menjëhershme të shtetit, qoftë me përcaktimin e çmimit për produktet themelore, ushqimore, qoftë me inspektim apo rezerva shtetërore.

“E kuptojmë se sa i rëndësishëm është prodhimi në vend dhe sa të rëndësishme janë politikat stimuluese për prodhim në vend por të cilat kanë munguar deri më tani”, u shpreh Lekaj.

Tutje Lekaj tha se Kosova e mbylli vitin 2021 duke zënë vendin e dytë me normën më të lartë të rritjes së çmimeve për 4.9% në vendet e rajonit.

Sipas deputetit të AAK-së tregjet vendore të Kosovës për rreth një viti janë duke u përballur me një valë të rritjes së çmimeve që kanë ardhur në të gjithë artikujt njëkohësisht.

“Kjo po e bën të paarritshme shportën familjare për shumë familje, sidomos për kategorinë e skemave sociale dhe familjeve me të hyra minimale”, u shpreh Lekaj.

Ai tutje tha se qeveria Kurti është zënë në gjumë dhe nuk është treguar e shkathtë që t’i përgjigjet kësaj situate.

“Deri më tani kjo rritje e çmimeve u përballua si e përballueshme për qytetarët nga qeveria Kurti”, tha ai duke shtuar se kjo qeveri nuk pati asnjë obligim moral e politik ndaj qytetarëve.

Lekaj para qeverisë dhe deputetëve paraqiti edhe disa krahasime që sipas tij janë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

“Sipas ASK-së nëse ndalemi tek krahasimi një mujor të gjitha çmimet e konsumit janë rritur”, u shpreh ai.