Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lekaj: Qeveri e hajgarëve, u tregon qytetarëve si të lahen, si të vishen e si t`i izolojnë shtëpitë

‘Qeveri të hajgerëve’ e ka quajtur deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, Qeverinë Kurti.

Në shqyrtimin e propozimit për zgjatjen e masave emergjente për energji, Lekaj ka thënë qeverisja Kurti ka mospërputhje të funksionimit dhe të njohjes së konceptit masë emergjente.

“Tregojuni qytetarëve që jeni qeveri e hajgarëve. Tregojuni si të flenë, si lahen, si të vishen e si t’i izolojnë shtëpitë. Për fat te keq për Kosovën kjo qeveri nuk ka lidhur kontratat jashtë shtetit për furnizim me energji, që do te kemi një dimër me reduktime. Përballë të gjitha këtyre problemeve vendimi më i mirë është që ta quajmë ministri apo Qeveri emergjente”- ka thënë Lekaj në seancën e Kuvendit.

Ai ka thënë se është e gjashta herë që merren vendime për energji të cilat janë në dëm të qytetarëve.

“Në emër të Grupit Parlamentar nuk di si ta komentoj këtë tentim vendim të qeverisë. Qysh nga fillimi i qeverisjes Kurti nga mosdija për udhëheqje është eksperimentuar në baza emergjente. Lidhur me këtë temë keni mospërputhje të funksionimit dhe të njohjes së konceptit masë emergjente sepse është e 6-ta herë që merrni vendime të energjisë në dem të qytetarëve duke u fshehur pas fjalës emergjente”- ka shtuar ai.

Lekaj tutje ka akuzuar Qeverinë Kurti që nuk bashkëpunoni me opozitën.

Kuvendi në një seancë të jashtëzakonshme po shqyrton sot propozimin e Qeverisë për zgjatjen për 30 ditë të masave emergjente të furnizimit me energji.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar nga deputetët që ta votojnë propozim-vendimin e Qeverisë për zgjatjen të masave emergjente të furnizimit me energji.