Bordi i ShSKUK-së
“Lë shumë për të dëshiruar” – Shqyrtohet raporti 9-mujor i punës së ShSKUK-së
Puna e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK) gjatë 9 muajve të parë të këtij viti lë shumë për të dëshiruar.
Kështu tha bordi i SHSKUK-së, i cili shqyrtoi draft-raportin e punës së këtij institucioni të periudhës janar – shtator 2024, në mbledhjen që mbajti të mërkurën, më 11.12.2024.
Shfrytëzimi i ulët i shtretërve dhe i pajisjeve mjekësore, numri i ulët i operimeve në disa njësi, numri i lartë i lindjeve me prerje cezariane, harxhimi i ulët i buxhetit për investime kapitale e mosraportimi i të gjitha të dhënave të kërkuara nga njësitë përbërëse, ishin disa prej problemeve kyçe të identifikuara. Problemet e njëjta ishin paraqitur para bordit edhe në raportin e vitit të kaluar.
Kryesuesi i bordit, Dren Boshnjaku, tha se disa njësi nuk i kanë shfrytëzuar pajisjet sa duhet dhe kanë blerë të tilla, pa pasur punëtorë për t’i përdorur. Ai mori shembull Spitalin e Prizrenit, për të cilin tha se ka numër të ulët të CT-ve të realizuara duke marrë parasysh se ka 2 pajisje të tilla. Ai po ashtu tha se edhe pse atje ka pajisje për rezonancë magnetike, ende ka pacientë që vijnë në Prishtinë për ta marrë atë shërbim.
“E di që i kanë disa arsyetime që s’kanë njerëz, por kjo duhet me u zgjidhë me drejtorin e QKUK-së dhe të SHSKUK-së” – shtoi ai.
Hartuesi i raportit, Liridon Gashi, njoftoi se QKUK-ja nuk ka raportuar për gjendjen e aparaturave mjekësore, pavarësisht se këtë e ka kërkuar disa herë.
Paradoksi i shfrytëzimit të shtretërve – Diku 40 e diku 103 për qind
Shfrytëzimi i shtretërve gjatë kësaj periudhe ishte vetëm 57.72 për qind, përderisa bordi e ka thënë dhjetëra herë se shtretërit duhet të shfrytëzohen deri në 80 për qind, sipas rekomandimit të nxjerrë nga një studim fizibiliteti i Ministrisë së Shëndetësisë.
Në këtë pikë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) kishte performancë dukshëm më të mirë, me 73 për qind të shfrytëzimit të shtretërve, përderisa në spitalet rajonale ishte vetëm 44 për qind.
Performancën e dobët të spitaleve rajonale, bordi e kishte parë edhe nga afër gjatë vizitave që kishte realizuar gjatë vitit 2023, prej të cilave ishte ndarë shumë i pakënaqur.
Në mënyrë paradoksale, shfrytëzimi i shtretërve në Klinikën e Ortopedisë, e cila është ndër klinikat me listat më të gjata të pritjeve për pacientë, është 40 për qind, ndërsa në Klinikën Nefrologjisë ai ka kaluar nivelin maksimal duke arritur në 103 për qind.
Liridon Gashi tha se kjo shifër mund të jetë për shkak se historitë e pacientëve nuk mbyllen në kohën kur ata lirohen në shtëpi.
Në të kaluarën, bordi kishte diskutuar se në disa klinika, kjo përqindje arrihet pasi që në mungesë të shtretërve ka raste kur dy pacientë shtrihen në një shtrat.
Anëtarja e bordit, Tetore Olloni, u shpreh e indinjuar me numrin e ulët të pacientëve të trajtuar në krahasim me numrin e specialistëve në disa klinika.
“Raporti lë shumë për të dëshiruar. Vendet e punës janë për t’u shfrytëzuar. Kemi 3.2 pacientë në një vend ku punojnë 12 profesionistë, përderisa ka lista të pritjes” – tha Olloni.
Në bazë të të dhënave, ka raste ku mesatarja e operimeve është 0.2 në ditë për një kirurg, sipas Liridon Gashit, i cili ka mbledhur të dhënat dhe ka hartuar raportin në fjalë.
Elvir Azizi tha se kanë qenë të vetëdijshëm për nivelin e ulët të shfrytëzimit të shtretërve dhe tha se kanë punuar për ta ndryshuar këtë, ndër të tjera, duke ofruar hapësirat e disa shërbimeve që kanë pasur më pak punë, për ato shërbime që kanë pasur nevojë për më shumë hapësira. Shembull i kësaj është shndërrimi i repartit të Infektivës në Spitalin e Mitrovicës nga shërbim 24 orësh në shërbim ambulantor 8 orësh.
“Kjo s’është punë që bëhet për një ditë. Është pak herët me i pa rezultatet” – tha Azizi.
Ai përmendi se objekti i ri i Ortopedisë është përuruar dy muaj më parë.
“Ortopedia ka pasur kushte mizerje. Objekti i ri sa është përuru. Kemi marrë pajisje të reja dhe jemi në proces të kontraktimit të një anesteziologu veç për Ortopedi. Po bëhet planifikimi i materialit shpenzues, që s’është bërë më herët” – shtoi ai.
Mungesa e anesteziologëve ka qenë arsyetimi kryesor i drejtorëve të klinikave kur kanë raportuar para bordit për numrin e ulët të operacioneve.
Numri i lindjeve me prerje cezariane vazhdon të jetë i lartë
Vjollca Kadolli, anëtare tjetër e bordit, pati kritika për numrin e lartë të lindjeve me prerje cezariane, përqindja e të cilave është 39 për qind. Gjatë 2024-tës në SHSKUK janë kryer gjithsej 12 mijë e 893 lindje. Ulja e nivelit të prerjeve cezariane duke zbatuar kriteret se kur duhet të bëhen, ka qenë kërkesë e bordit që më shumë se një vit.
Drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, tha ai frikësohet se nëse ulin indikacionet kur duhet të bëhen lindjet me prerje cezariane, atëherë do t’i shtyjnë pacientet që të shkojnë në sektorin privat.
“Ky është mendim i imi, por konkluzionin e bordit do ta zbatojmë” – tha ai.
Kryesuesi i bordit, Dren Boshnjaku, tha se ata nuk kanë kërkuar që të nxjerrin vendim arbitrar, por që mjekët t’ua shpjegojnë pacienteve se cilat janë efektet e mira dhe efektet e këqija të lindjeve natyrale dhe të atyre me prerje cezariane.
Kadolli tha se shqetësuese është edhe që buxheti për investime kapitale gjatë këtyre 9 muajve është shfrytëzuar vetëm 26 për qind. Sipas saj, deri në fund të vitit, paratë e ndara për institucion do duhej të shpenzoheshin deri në 98 për qind.
Rritje e nivelit të furnizimit me barna
Në bazë të të dhënave të këtij raporti dhe të raportit të vitit të kaluar, niveli i furnizimit me barna është rritur.
Sipas raportit, përqindja e përgjithshme e furnizimit me barna gjatë vitit 2024 në nivel të SHSKUK-së është 75 për qind, ndërsa me material shpenzues 83 për qind.
Ndërkaq, raporti i vitit 2023 thoshte se furnizimi me barna, sipas planifikimit nga Lista e Barnave Esenciale ka qenë 53 për qind, e me material shpenzuese 67 për qind.
Në SHSKUK gjatë 9 muajve të parë të vitit 2024 janë trajtuar 121 mijë e 433 pacientë. Prej tyre, 2 mijë e 479 apo 2 për qind, kanë vdekur. Gjatë kësaj periudhe, në SHSKUK janë ofruar edhe 1 milion e 440 mijë e 533 vizita ambulantore.
Përveç QKUK-së dhe shtatë spitaleve rajonale, SHSKUK-ja përbëhet edhe nga qendrat e shëndetit mendor, Qendra Klinike Stomatologjike, Qendra Kombëtare e Telemjekësisë, Qendra Kombëtare e Mjekësisë së Punës, Qendra e Mjekësisë Sportive e Qendra Integruese Rehabilituese e të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë në Shtime.
Bordi i SHSKUK-së përbëhet nga kryesuesi Dren Boshnjaku dhe anëtarët – Tetore Olloni, Vjollca Kadolli, Besa Balidemaj, Ismet Ramadani dhe Rrezarta Bajrami.
Për shkak të performancës së keqe, bordi i SHSKUK-së nuk kishte aprovuar as raportin 6-mujor e as atë vjetor të vitit 2023, duke vlerësuar se nuk është arritur as minimumi i rezultateve të pritshme.