
Kandidatët LDK-së, Sibel Halimi dhe Shkëmb Manaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
LDK zotohet për reformim të sistemit të drejtësisë: “Vetting-u s’guxon të shndërrohet në parullë politike”
Në emisionin “Debat Përnime”, gjatë të cilit është shpalosur një pjesë e programit zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në pjesë e parë të debatit është diskutuar për nevojat që i ka Kosova si shtet në reformimin e sistemit të drejtësisë.
Kandidatja për deputete, Doarsa Kica-Xhelili, shprehu qëndrimet e LDK-së karshi Vetting-ut, njërit prej proceseve që konsiderohen si më me rëndësi për sistemin e drejtësisë në vend.
“Çështja e parë është Vetting-u. Vetting-u duhet të përmbyllet si proces, pikërisht sepse nuk guxon të zvarritet dhe të shndërrohet në parullë politike. Drejtësia më nuk mundet me shërby si një manipulim elektoral”- ka deklaruar Kica-Xhelili, përballë Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometri”.
Edhe kandidati tjetër, Shkëmb Manaj, pati kritika në adresë të Qeverisë Kurti 2, pikërisht në lidhje me procesin e Vetting-ut.
“Kjo qeverisje, jo që ka bërë hapa pak, por ka bërë hapa mbrapa në procesin e Vetting-ut. Me qasjen e saj ndaj këtij procesi, duke tentuar që në emër të reformave ta kap sistemin e drejtësisë na ka sjellë në situatën kur Komisioni i Venecias ka vendosur që më nuk duhet të ketë Vetting të plotë në sistemin e drejtësisë, por vetëm të pjesshëm, që e përfshinë Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial”- është shprehur Manaj.
Kandidatët e LDK-së e kanë cilësuar po aq të rëndësishme sa Vettingun, edhe mosndërhyrjen e politikës në sistemin e drejtësisë.
Qeveria aktuale nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, sipas tyre, e ka përdorur drejtësinë si parullë politike.
Kica-Xhelili ka deklaruar tha se “me ardhjen e LDK-së në pushtet do të vijnë ndryshimet reale në sistemin e drejtësisë”.
“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para zgjedhjeve parlamentare të 09.02.2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përjashtuar ata të LVV-së, përveç që do prezantojnë programin e tyre do të përballen edhe me pyetje nga Xharra, Gashi e Prebreza.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë.
Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime”, prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim me partia në pushtet, partitë tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetareve të Kallxo-it.
“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin”, ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të debatit të parë zgjedhor në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim:
LDK premton në “Debat Përnime” reforma në drejtësi dhe investime kapitale miliardëshe