
Kandidatët e LDK-së Shkëmb Manaj dhe Armend Zemaj. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
LDK zotohet për "çkapjen" e institucioneve të pavarura
Kandidatët për deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në emisionin “Debat Përnime”, ku është diskutuar për meritokracinë në institucionet publike, kanë shprehur qëndrimet e tyre përkitazi me qasjen që do të kenë ndaj institucioneve të pavarura, përkatësisht rreth depolitizimit të tyre.
Lidhur më emërimet në pozitat e rëndësishme në institucionet e pavarura, Shkëmb Manaj, tha se LDK garanton që njerëzit që ngarkohen në këto pozita do të jenë profesionistë dhe me integritet që e zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës.
Lidhja Demokratike, sipas Manajt, ka një program konkret për mënyrën se si do veprohet karshi sistemit të drejtësisë duke mundësuar pavarësimin e tyre të plotë nga ana e politikës.
“E para- ne nuk duhet të ndërhyjmë në pavarësinë e vendimmarrjes së institucioneve të pavarura; e dyta- duhet të kemi një buxhet i cili përcaktohet nga institucionet e pavarura dhe as Qeveria e as Kuvendi i Kosovës nuk kanë të drejtë ta zvogëlojnë buxhetin e institucioneve të pavarura; dhe e treta është çështja e pagave”- tha ai.
Qeverisja nën udhëheqjen e Albin Kurtit, sipas Manajt ka qenë ndër qeveritë më të “këqija që i ka goditur institucionet e pavarura kushtetuese, administratën publike dhe mediat”.
Për ta argumentuar pretendimin e tij, Manaj përmendi një nga vendimet e para që kishte marrur Qeveria e Kurtit për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil.
Sipas tij, një vendim i tillë ka qenë i qëllimshëm që të “godasin një institucion të pavarur kushtetues dhe me pas ta kapin administratën publike dhe në momentin që e kapin administratën publike, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil si institucion që i zgjidh ankesat e gjithë zyrtarëve publik, nëpunësve civil të mos vendos në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën”- tha Manaj.
Pa u diskutuar nuk kaloi as ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Qeveria Kurti, e sipas Manajt, nga kjo qeveri u bë edhe heqja e shtesës së sigurisë për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe zjarrfikësve dhe plotë kategorive tjera.
Mirëpo, rishikim të gjitha këtyre vendimeve premton LDK-ja pasi të vijë në pushtet, kështu duke vënë në zbatim edhe zotimin për rritjen e koeficientit të pagës në 150 euro.
“Do të rishikohen, ju e dini premtimin publik të kryeministrit tonë në ardhje që koeficienti i pagës do të bëhet 150 euro për gjithë nëpunësit civil dhe zyrtarët publik të shtetit. Po ashtu do të rishikohen sistemi i drejtësisë, sepse gjyqtarëve dhe prokurorëve iu ka zvogëluar paga. Nuk e kanë bazën që e kanë pasë. Ne do ta zbatojmë një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese dhe do t’i harmonizojmë pagat e sistemit të drejtësisë, poashtu të Shërbimit Korrektues, zjarrfikësve dhe të gjitha kategoritë tjera”- tha Manaj.
Ndërsa, kandidati Armend Zemaj, tendencën e qeverisë aktuale për “kapjen e bordeve dhe agjencive të pavarura”, e quan si “njollë e zezë” që i ka dëmtuar institucionet e pavarura.
“Kjo kapje ose dëshirë e flakët që të instalohen njerëz me diktat politik i ka dëmtu tejmase këto institucione. Kemi shembuj të këqij, shembuj eklatantë duke filluar prej sulmeve institucionet e sigurisë, e mos të flasim për Gjykatën Kushtetuese, por edhe bordet e ndërmarrjeve të pavarura që kanë shkaktuar dëme milionëshe”-tha Zemaj.
Ndërkaq kandidati Shkëmb Manaj, tha se me ardhjen e tyre në pushtet do ta kthejnë meritokracinë në gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë këtu edhe bordet e ndërmarrjeve publike.
“Ne duhet ta kthejmë meritokacinë në Qeverinë e Kosovës, ministri, në gjitha institucionet e pavarura dhe në bordet e ndërmarrjeve publike”- tha ai.
Zotimi i LDK-së është edhe për reforma të thella në administratën publike dhe pjesë e kësaj reforme pritet të jetë ndryshimi i Ligjit për zyrtarët publik dhe kthimi i Ligjit për shërbimin civil.
“Të pjesa e administratës publike ne do të bëjmë reforma të thella. Ne do të shikojmë ta ndryshojmë Ligjin për zyrtar publik, ta kthejmë Ligjin për shërbimin civil që ka qenë më herët në mënyrë që të garantojmë që gjithë nënpunësit civil e Kosovës te kenë institucione që i mbrojnë të drejtat e tyre”- tha Manaj.
Ndër të tjera ai përmendi se “mbi 60 mijë të punësuar në administratën publike sot nuk kanë një institucion të pavarur ku ata kanë të drejtë ankese, ne do ta kthejmë ligjin për shërbimit civil ku shumica e zyrtareve publik do jenë nënpunës civil dhe ata të do të kenë mbrojtje në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës e pastaj edhe në Gjykatë”- tha Manaj.
Ndërsa, kandidati Zemaj dha si zotim së nuk do të ketë asnjë lloj mbrojtje për ata që shkelin ligjin, e aq më pakë për të korruptuarit.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” në nisje të debatit ku u diskutua për meritokracin në institucionet publike tha se: “Emërimi i komandantëve, drejtorave dhe bordagjinjëve vazhdoi me logjikën e njëjtë edhe në këtë mandat. Profesionalizmi u mat me sa të vjetrën e ke librezën e partisë, sa pare i ke dhënë donacion partisë, dhe sa shumë bërtet nëpër tubime zgjedhore. Meritokraci se jo mahi”.
Për më shumë lexoni në tekstin në vijim: