Foto: Kallxo.com

LDK: Vetëvendosje krijoi faqe online për të manipuluar vullnetin politik të mërgatës

Lidhja Demoratike e Kosovës ka reaguar në lidhje me një faqe online për të cilën ata pretendojnë se është krijuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është e shqetësuar nga akti i sotëm i aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët krijuan faqe online për të manipuluar vullnetin politik të mërgatës sonë, madje duke u tentuar që atyre t’u marrin edhe mjete financiare nga llogaritë bankare”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas LDK-së, prej vitesh Vetëvendosje ka nisur manipulimin dhe helmimin e diasporës përmes “propagandës majtiste”.

“Kjo propagandë po ndikon në përçarje kombëtare dhe po dekurajon bashkatdhetarët tanë për të kontribuar për familjet dhe shtetin e tyre. Siç duket kësaj partie nuk i kanë mjaftuar instrumentet e deritanishme, por ka kaluar edhe në hapin tjetër, zhvatjen financiare të diasporës sonë nëpërmjet faqeve elektronike jo ligjore”, thuhet në reagim.

LDK ka bërë thirrje për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, që të mos bien pre e këtyre manipulimeve, të cilat bien ndesh me ligjin dhe ushqejnë propagandën politike.

“Lidhja Demokratike ju bën thirrje organeve të drejtësisë, që të bashkëpunojnë me homologët e tyre në Evropë, për të denoncuar, ndaluar dhe dënuar këta militantë politikë që po bëjnë keqpërdorimin e diasporës sonë.LDK kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë, shoqëria civile dhe mediat, që t’i evidentojnë këto shkelje dhe t’i adresojnë tek organet kompetente”, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK i bën thirrje edhe Vetëvendosjes që të sillet konform rregullave demokratike të organizimit të zgjedhjeve dhe të mos provojë ndryshimin e vullnetit të sovranit me mjete të paligjshme dhe praktika abuzive.