
LDK: Ushqimi në FSK do të sigurohet përmes operatorëve ekonomikë
Kandidatët për deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë zotuar se nëse partia e tyre rikthehet në pushtet, do ta përmbushin standardin e vendeve të NATO-s duke e rritur buxhetin për Forcën e Sigurisë së Kosovës në 2% të GDP-s (Bruto Produktit Vendor).
Me këtë buxhet parashihet përmirësimi i kushteve të personelit, përfshirë investimet në fushën e edukimit, stërvitjeve, pagave, zhvillimin e infrastrukturës si dhe furnizimin me pajisje e sisteme të ndryshme të armatimit.
“Buxheti natyrisht që do të investohet në kushte të shërbimit të personelit apo menaxhimin e drejtë të burimeve njerëzore, që nga edukimi, arsimimi, stërvitja, zhvillimi në karrierë, kushtet, pagat, standardi i jetesës, e për të gjitha të tjerat. Natyrisht, edhe për furnizimin me pajisje të sistemeve të caktuara të armatimit, infrastrukturës dhe në gjithçka të nevojshme për një forcë kredibile.”- tha kandidati për deputet, Fadil Hadërgjonaj në “Debat Përnime”, më 18.01.2025.
Si hap të parë, sipas Hadëgjonajt, LDK parasheh rishikimin e sektorit të sigurisë dhe nxjerrjen e konkludimeve se çka duhet dhe si duhet të vazhdohet me ndërtimin e Forcës.
Kandidati tjetër, Anton Quni, foli për çështjen e ushqimit të FSK-së, duke u zotuar se me ardhjen e LDK-së në pushtet kjo do të behët përmes operatorëve ekonomikë.
Quni tha se do të marrin shembuj nga shtetet që kanë pasur ngjashmëri me Kosovën, apo siç e praktikojnë Kroacia dhe Sllovenia.
“Këto dy shtete ka vite, e tash është bërë rutinë, që këtë çështje ia kalojnë operatorëve ekonomikë”- tha ai.
Se a do të jepen për operatorët ekonomikë këta tenderë në mënyrë njëburimore, sekrete apo do të jenë tenderë të hapur, Quni tha se të gjitha këto shërbime do të bëhen me “tenderë të hapur, transparent, publikë, të kontrolluar dhe të mbikëqyrur”.
Quni tha se në qeverisjen e tyre, në këta tenderë do të kenë qasje jo vetëm Komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e sektorit të sigurisë, por edhe mediat, organizatat e ndryshme dhe miqtë e Kosovës.
“Nuk flasim për sekrete ushtarake. Ato tabutë që kanë qenë më herët, numri, lokacioni, tipi i armatimit janë çështje të tejkaluara, i takojnë shekullit të kaluar në kohën e Luftës së Ftohtë në mes dy blloqeve, Bllokut të Varshavës dhe të NATO-s, kur shumë çështje janë mbajtur sekrete. Tani flasim për një qasje transparente, nga qytetarët që japin taksa për këto çështje”- shtoi ai.
Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim:
Lagje për ushtarakët, njësi të helikopterëve dhe “Smart Defence”: Zotimet e LDK-së për mbrojtjen