LDK: Tubimi i djeshëm në Prishtinë - demonstrim i tendencës për kapje të shtetit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) tubimin e djeshëm të qytetarëve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë e ka quajtur demonstrim real i tendencës për kapjen e re të shtetit dhe të organeve kushtetuese të vendit.

LDK për tubimin e djeshëm të, siç i quajti, “miliantëve”, thotë se po bëhet në ditët kur numri i të prekurve me COVID-19 është rritur.

Sipas LDK-së, Qeveria në detyrë, Policia si dhe Komuna e Prishtinës lejuan “një manovrim skandaloz të një partie politike”.

“Rasti i tubimit masiv, nuk duhet të heshtet, andaj LDK kërkon hetim të pavarur e të drejtë, në mënyrë që përgjegjësit duhet të vihen para përgjegjësisë”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Gjithashtu sipas tyre, Qeveria nuk ka më arsye që t’u thotë qytetarëve që të respektojnë masat ndaj coronavirusit.

Kjo është komunikata e plotë e LDK-së.

Në ditët kur beteja me COVID-19 u sfidua me rritje të ndjeshme të numrit të të prekurve dhe kur institucionet paralajmërojnë se mund të shtyhet lehtësimi i masave kufizuese, në sheshin kryesor të Prishtinës, të rrethuar me shirita policor, që janë vendosur për të mos lejuar lëvizjen e qytetarëve, Qeveria e shkarkuar e Kosovës, Policia e Kosovës, si dhe Komuna e Prishtinës, lejuan një manovrim skandaloz të një partie politike.

Kjo provë e protestës së rreth 500 militantëve partiakë, të fshehur prapa organizatave të shoqërisë civile, përveç se është tregues i qartë i ndërhyrjes dhe presionit mbi gjykatat e pavarura të vendit, është demonstrim real i tendencës për kapjen e re të shtetit dhe të organeve kushtetuese të vendit.

Derisa, ditëve të fundit, në gjithë territorin e vendit janë arrestuar qindra qytetarë për mos respektim të masave, duke u gjobitur, prangosur e arrestuar familjarë, bujq e fermerë, të martën në Prishtinë, heshtën Qeveria, Policia e Shpend Ahmeti. Heshtën ata që me dhjetëra herë u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat.

Është e papranueshme që të lejohet një tubim i tillë masiv, në kohën kur asnjë vend në botë nuk lejon grumbullime të tilla. Është e papranueshme, që qytetarët të arrestohen për të njëjtat veprime, e të heshtet për militantët e aktivistët e partisë në pushtet.

Qeveria e shkarkuar e Kosovës, nga dje nuk ka më asnjë arsye të thërras qytetarët për respektim të masave kundër COVID-19.

Qeveria në ikje, nga dje ka zgjedhur ikjen nga përgjegjësia. Nga dje, interesat partiake, ajo i ka vendosur mbi interesin e shëndetit publik, në të cilin është thirrur shumë kohëve të fundit. Qeveria në ikje, me vetëdije të plotë, dje ka shkelur masat të cilat vet i ka vendosur, sikur që për qëllime të veta shkeli dy herë Kushtetutën e vendit, si dhe me vetëdije të plotë anashkaloi Kuvendin e Kosovës.

Rasti i tubimit masiv, nuk duhet të heshtet, andaj LDK kërkon hetohim të pavarur e të drejtë, në mënyrë që përgjegjësit duhet të vihen para përgjegjësisë. Kosova duhet të udhëhiqet bazuar në normën e vet kushtetuese. Pavarësisht kërcënimeve për destabilizim të një partie politike, e cila edhe ashtu s’ka bërë ndonjë gjë tjetër për Kosovën.

LDK është e sigurt se as kësaj radhe, askush nuk do mund ta ndalë rrugëtimin transformues të Kosovës, ashtu siç nuk ka mundur ta ndalë asnjë proces që e ka sjellë Kosovën këtu ku është. Shtet me aspirata integruese euro-atlantike.