LDK shtron iftar për kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të prirë nga kryetari Lumir Abdixhiku, kanë pritur në iftar myftiun e Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, me bashkëpuntorë.

Për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku muaji i Ramazanit duhet të shërbejë për më shumë solidaritet, tolerancë dhe paqe në vend.

“Le të shërbejnë këto ditë për të dhënë mesazh për më shumë solidaritet, tolerancë dhe paqe në vendin tonë. Qytetarët e Kosovës gjithmonë janë shquar për vlera humane, vëllazërore dhe solidariteti, duke u dëshmuar si shoqëri që respekton njëri-tjetrin e ndanë me ata në nevojë – prandaj, le të vazhdojmë t’i mbajmë këto vlera edhe përtej këtij muaji të shenjtë”- u shpreh Abdixhiku.

Muaji i Ramazanit ka filluar me 23 mars dhe përfundon me festën e Bajramit më 21 prill. Besimtarët myslimanë gjatë këtij muaji agjërojnë nga lindja e diellit deri në perëndimin e diellit.