Agim Veliu. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK shkarkon Agim Veliun nga kryetari i degës në Podujevë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se Agim Veliu nuk do të jetë më kryetar i degës së LDK-së në Podujevë. Kompetencat tani i kalojnë kandidatit të ri për kryetar të Komunës së Podujevës – Ekrem Hyseni.

Abdixhiku pas mbledhjes së Kryesisë u shpreh se Veliu nuk ka shprehur ambicie për të rikandiduar për kryetar të Komunës së Podujevës.

“Me vendim të Kryesisë, kandidati për kryetar të Podujevës është doktor Ekrem Hyseni. Dhe kryesia e LDK-së si pjesë e procesit të brendshëm vlerësues dhe organizativ i ka kaluar të gjitha kompetencat të degës, shtabit zgjedhor dhe të garës zgjedhore në Podujevë. Vendimet të njëjta do të jenë pothuajse në secilën komunë, kryetarët aktual do të kenë kompetenca strukturore të Lidhjes me qëllim të riformimit edhe të degëve edhe hapjen e dyerve të anëtarëve të rinj”, tha ai.

“Ne kemi zgjedhur kandidatë që kanë gjasa më larta, dhe z.Veliu nuk ka shprehur ambicie për kryetar komune. Kemi kandiduar Ekrem Hysenin i cili do ta rikthejë Podujevën sa më parë”, tha Abdixhiku.

Kryesia e LDK-së ka zyrtarizuar kandidaturat për kryetarë të disa komunave për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë.

Kandidatë për kryetar të Komunës së Prishtinës është Përparim Rama, për kryetar të Komunës së Podujevës është Ekrem Hyseni, për kryetar të Komunës së Pejës është Gazmend Muhaxheri, për kryetar të Komunës së Suharekës është Ardian Shala, për kryetar të Komunës së Lipjanit është Imri Ahmeti, për kryetar të Komunës së Fushë -Kosovës është Burim Berisha, për kryetar të Komunës së Vitisë është Sokol Haliti dhe për kryetar të Komunës së Vushtrrisë është Xhafer Tahiri.