LDK - Salih Morina zëvendëson Florian Dushin në KQZ

Ish deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Salih Morina do e zëvendësoj Florian Dushin si anëtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ndonëse thotë se ka marrë besimin e degës së LDK-së në Malishevë për të qenë kandidat për deputet, kryesia e partisë i ka kërkuar që të shkoj si anëtar në KQZ.

“Ju njoftoj se unë nuk do të jem kandidat në zgjedhjet e 6 Tetorit. Me propozim të Kryesisë dhe Kryetarit të LDK-së akademik Isa Mustafa jam propozuar që ta përfaqësoj Lidhjen Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)”, ka shkruar Morina në Facebook.

Morina ka qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës në dy legjislaturat e fundit.

I kontaktuar nga KALLXO, Florian Dushi e ka konfirmuar se do jetë pjesë e listës për deputetë nga LDK-ë.

“Po, jam tërhequr për shkak të zgjedhjes sime në Kryesinë Qendrore të LDK-së dhe për shkak se planifikoj të jem pjesë e listës së kandidatëve të LDK-së”, ka thënë Dushi.

Të enjten Këshilli i Përgjithshëm ka pranuar propozimet e degëve të LDK-së për kandidaturat për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa ka thënë se deri nesër do të përpilohet lista prej 110 emrave.