Logo e LDK-së - Foto: Facebook

LDK rikthen në diskurs temën e vrasjeve të pasluftës

Lidhja Demokratike e Kosovës i është rikthyer përmendjes së vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë në periudhën e pasluftës.

Zyrtarë të lartë të LDK-së, duke folur për zhvillimet politike, në diskurs kanë përfshirë vrasjet e veprimtarëve të tyre, rastet e të cilëve nuk janë zbardhur asnjëherë.

Këto deklarata vijnë në kohën kur partitë politike kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen së shpejti.

LDK po pretendon se ndaj saj është duke u zhvilluar një fushtë e ashpër politike e fajësuese.

Nënkryetari i LDK-së dhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, para se të emërohej kandidat për kryeministër nga partia, ka përmendur vrasjen e bashkëpartiakëve pas luftës.

“LDK-ja nuk është vetëm parti, por edhe shkollë e të menduarit politik, që e ruan kursin e zhvillimit demokratik dhe euro-integrues të Kosovës”, është shprehur më 28 dhjetor Hoti.

Ai ka shtuar se LDK i ka mbijtuar “garës së egër politike” në vitet e pasluftës.

“LDK-ja i ka mbijetuar një gare të egër politike në vitet e pasluftës, kur zyrtarët e saj janë vrarë, por e ka ruajtur kursin e zhvillimit demokratik të Kosovës. LDK-ja tash e ka sfidën e radhës, për të mos e lënë shtetin e Kosovës të rrëshqasë drejt autokracisë, izolimit dhe regresit”, ka shtuar ai.

E zëshme në këtë drejtim së fundi është treguar edhe deputetja nga radhët e LDK-së, Doruntinë Maloku, e cila është vajza e ish-veprimtarit të vrarë të LDK-së, Enver Malokut.

“Lidhja Demokratike e Kosovës që pas vdekjes së Presidentit Rugova, përballet me një luftë të pashembullt speciale për ta sunduar dhe për ta shkatërruar. E përmenda vetëm periudhën post rugoviane të LDK-së, pa e harruar në asnjë mënyrë, edhe periudhën e para dhe pas luftës kur grupe politike e jo politike në vazhdimësi, që nga themelimi i saj, e kanë luftuar me të gjitha mjetet e disponueshme LDK-në”, ka thënë Maloku në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Deputetja ka shtuar se ka kaluar më shumë se një dekadë prej se kjo “luftë speciale ka vetëm një qëllim: ta mbjellë idenë tek qytetarët, se LDK-ja ka faj për gjithçka që ndodhë në Kosovë. Ne kemi faj, edhe kur jemi në pushtet edhe kur jemi në opozitë. Ne kemi faj edhe kur ndihmojmë, por edhe kur heshtim. Edhe nëse dëshmojmë që nuk kemi faj, prape shpallemi fajtorë!”.

“Praktikisht, ne kemi faj për gjithçka. Kemi faj pse ekzistojmë. Pra, ky është faji i LDK-së. Ekzistenca e saj. Cenimi i dinjitetit të LDK-së është qëllim përbashkues i të gjitha partive në Kosovë. Është dëshmuar që saherë që LDK është në pozicion të favorshëm, të gjithë bëhen bashkë për ta luftuar. Sa herë që LDK është unike, luftohet për ta përçarë. Saherë që LDK është më dobët, luftohet për ta shkatërruar!”, është shprehur ajo.

E temës së vrasjeve ndaj zyrtarëve të LDK-së i është kthyer edhe deputeti Fetah Rudi, i cili është viktimë e një atentati për vrasje.

Dy dekada më parë, Rudi ka mbetur i plagosur në një atentat të kryer ndaj tij në fshatin Arllat. Që nga ajo kohë, Fetah Rudi ka mbetur në karrocë invalidësh.

Në një emision teliviziv, Fetah Rudi ka përmendur emra të zyrtarëve të partive të tjera si urdhërdhënës të atentatit ndaj tij.

Megjithëkëtë, ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga vrasjet e disa prej zyrtarëve më të lartë të LDK-së, këto raste nuk janë zbardhur asnjëherë.

LDK-ja ka kërkuar vazhdimisht drejtësi për ish-figurat e larta të saj, por nuk ka bërë shumë në këtë drejtim në kohën kur ka udhëhequr vetë me Qeverinë e Kosovës.

Për shumë vite, në fushata zgjedhore, LDK ka akuzuar e aluduar në partitë rivale për këto vrasje, por shumë herë ka qeverisur me to pas zgjedhjeve.

Në anën tjetër në Hagë, Gjykata Speciale po gjykon ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin për krime lufte, si dhe mes tjerash për vrasje të kundërshtarëve politikë.

Në fillim të vitit 2021 Kosova pritet të mbajë zgjedhjet e reja parlamentare, pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshme Qeverinë e Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin.