Foto: Lidhja Demokratike e Kosovës/ Facebook

LDK rendit shqetësimet që ka ndaj Qeverisë Kurti

Neglizhenca qeverisëse, mosrespektimi kushtetues, tendencat kapëse të drejtësisë dhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës janë katër shqetesimët lidhur me Qeverinë Kurti që kjo parti ka adresuar gjatë javës së kaluar.

LDK përmes një postimi në Facebook ka thënë se nëpërmjet katër konferencave për medie, ka adresuar shqetësimet e veta në lidhje më arsim, ekonomi, drejtesi dhe raportin e DASH.

“Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci, ka shkelur Kushtetutën e Kosovës. Kanë kaluar një javë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ministrja nuk e ka ofruar dorëheqjen, duke shkaktuar kështu precedent tejet të rrezikshëm për rendin kushtetues”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas LDK-së, në mungesë të vizionit për zhvillim ekonomik, Qeveria e Kosovës u ka shpërndarë qytetarëve lëmoshë, nga 100 euro vetëm për një muaj.

Sipas tyre nismat legjislative dhe veprimet politike të qeverisë kanë qëllim sigurimin e kontrollit politik mbi të gjitha institucionet.

“Nismat e saj legjislative dhe veprimet politike kanë një qëllim; sigurimin e kontrollit politik mbi të gjitha institucionet, edhe ato të pavarura. Kështu duke u shndërruar në një cënuese të demokracisë dhe rendit kushtetues”, thuhet në reagim.

Tutje thuhet se gjetjet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut për vitin 2021 janë shqetësuese.

“Kërcënim e frikësim ndaj gazetarëve e medieve, pandëshkueshmëri të korrupsionit, si dhe ndërhyrjet politike në gjyqësor”, thuhet në reagimin e LDK-së.