Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK rendit shumë kritika për 100 ditët e Qeverisë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka skanuar në disa rrafshe, punën 100 ditore të Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti. Janë plotë dështime, nepotizëm, mungesë përgjegjësie, pakujdes shëndetësor, politikë e jashtme pa plan, kulturë e sport pa mbështetje, ballafaqim të ministrave me procese gjyqësore e popullizëm. Këto, dhe jo vetëm, sipas zyrtarëve të LDK-së, e bëjnë Qeverinë Kurti një mekanizëm të dobët e madje edhe shqetësues për Kosovën.

Në konferencën për media të mbajtur sot, që iu atribuua 100 ditëve të Qeverisë Kurti, nënkryetarja Shqipe Mjekiqi njëherësh edhe drejtuese e Departamentit për Politike të Jashtme në LDK, tha se qeveria doli të kishte gënjyer kur kishte thënë se dialogu me Serbinë nuk ishte prioritet i tyre.

“Dialogu doli të jetë prioritet i parë për qeverinë, ndonëse ishte renditur i 7-ti. E procesi ishte jokredibil, pa parime e pa platformë, tha ajo.

Mjekiqi, tha gjithashtu, se qeveria bëri përpjekje për t’i ikur obligimeve nga marrëveshja e Uashingtonit, duke treguar cektësi politike.

Zyrtari tjetër i LDK-së Izet Sadiku nga Departamenti për Shëndetësi, tha se këto kanë qenë 100 ditët e pritjes për marrjen e vaksinave kundër COVID-19.

“Vetëm 2% e qytetarëve janë vaksinuar me dozën e parë. 100 ditë pa plan për vaksinim”, tha ai.

Ai ka përmendur se gjatë kësaj kohë, qytetarët e Kosovës janë përballur edhe me mungesë të barnave, saktësisht insulinave.

“Janë mbi 35 mijë pacientë që kanë nevojë për insulinë”, tha ai.

Shkëmb Manaj nga Departamenti për Siguri e ka quajtur të dështuar Qeverinë Kurti.

“Nepotizëm dhe emërime me qëllim të kapjes së institucioneve”, tha ai.

“Ministra e deputetë pjesën më të madhe të punës e çuan në seanca gjyqësore për shkak të aktakuzave aktive”, shtoi Manaj.

Besian Mustafa nga Departamenti i Ekonomisë në LDK, për 100 ditët e para të Qeverisë Kurti, tha se mund të përkufizohen si ditët e nëpërkëmbjes së ekonomisë së Kosovës.

“Ka mungesë të pakos së re të rimëkëmbjes ekonomike. Nuk pati rritje të pagesës së premtuar minimale. Pati pak subvencione e grante për bujqit”, tha ai.

E Vlora Dumoshi nga Departamenti për Kulturë Rini, Sport dhe Arsim tha se qeveria në këto 100 ditë nuk dha përkrahje për asnjërën nga këto fusha.

“Paradoksi më i madh është zvogëlimi i buxhetit për 50% për federatat sportive. Nuk ka pasur procedim për miratim të Ligjit për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë. Krejt dhe drejt kjo qeveri na del shumë zhgënjyese por mbi të gjitha edhe mashtruese”, tha ajo.

Zëdhënësja politike e LDK, Sibel Halimi tha se 100 ditshi solli ndryshim, por jo të asaj që është proklamuar.

Ajo tha se 100 ditë ka pasur ikje të përgjegjësisë.

“Një qasje e tillë e nxitur nga sindromi popullist se gjithçka fillon me ne, vetëm për përvetësim të pushtetit. LDK shpreh shqetësime për këtë qeverisje të dobët”, tha ajo.