Foto: Facebook / Lidhja Demokratike e Kosovës

LDK: Refuzuam takimin në presidencë, sepse na ftuan për ta mbuluar dështimin

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për medie ka treguar arsyet e refuzimit për të marrë pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani gjatë ditës së sotme.

Për LDK-në, veprimet e djeshme të institucioneve ishin dështim dhe të pakoordinuara me aleatët.

“Nga dështimi i mbrëmshëm, kuptuam që institucionet nuk janë koordinuar me askënd dhe se nuk kanë qenë të përgatitura për situatën e djeshme”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Derisa, ftesën e sotme nga presidentja, LDK po e sheh si ftesë për të mbuluar dështimin dhe papërgjegjësinë.

“Ndërsa sot, pas dështimit, Presidentja ftoi në takim partitë opozitare me Qeverinë. Për çfarë? Për të mbuluar dështimin dhe papërgjegjësinë? Opozita duhet të konsultohet dhe të dëgjohet para se të ndërmerren veprimet. Opozita mund të ndihmojë Qeverinë që të mos gabojë, por nuk mund të marrë përsipër dështimet e saj”, thuhet tutje në komunikatën e LDK-së.

Takohen krerët e institucioneve të Kosovës, nuk marrin pjesë liderët e opozitës

Kjo parti edhe njëherë ka deklaruar se mbështesim vendosjen e reciprocitetit, si masë e drejtë e çdo shteti sovran.

Sot gjatë ditës, presidentja Osmani ka pritur në takim kryeministrin Kurti, kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjfuca dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë.

Në këtë takim kanë qenë të ftuara edhe partitë opozitare, por ato nuk kanë marrë pjesë në takim.

Pas tensioneve në veri, të dielën në mbrëmje, është mbajtur një takim urgjent mes kryeministrit Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani së bashku me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier ku u kërkua pezullimi i zbatimit të masave të reciprocitetit për 30 ditë.

Kjo kërkesë e ShBA-së u realizua nga qeveria, e cila mori vendim për të shtyrë implementimin e masave të reciprocitetit sapo të hiqen barrikadat në veri.

Sot gjatë ditës ka nisur heqja e disa barrikadave, derisa kanë mbetur ende disa rrugë të bllokuara.

Rruga për në Bërnjak ende e bllokuar