LDK: Raporti i Progresit e zhveshi propagandën e LVV-së

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka komentuar gjetjet nga raporti i progresit të Komisionit Evropian për Kosovën të vitit 2022.

Zëdhënësi i LDK-së, Xhafer Tahiri ka thënë se raporti i progresit e konfirmon se në Kosovë nuk ka pasur progres në fushat kyçe për procesin në integrimin evropian, sipas tij, LDK po ashtu e ka thënë vazhdimisht në gjë të tillë.

“Komisioni Evropian përmes raportit të progresit për vitin 2022, e konfirmon se në Kosovë nuk ka progres në fushat kyçe për procesin në integrimin evropian. Komisioni e konfirmon atë që LDK e ka thënë vazhdimisht, se në Kosovë nuk ka progres në fushat për integrim evropian, pra nuk ka zhvillim në ekonomi, shëndetësi, drejtësi e siguri”- ka thënë Tahiri.

Tahiri renditi fjalët që janë përsëritur në raport për fushat ku pati e nuk pati progres, duke i krahasuar me vitet paraprake.

“Raporti i Progresit e ka përsëritur 26 herë fjalën – nuk ka progres në fushat e vlerësimit, 32 herë përmendet se në sektorë të ndryshëm Kosova është në fazë të hershme. 0 herë konstatohet progres i mirë, 0 herë progres shumë i mirë. Për krahasim në vitin 2021 këtë shprehen në fazë të  hershme komisioni e ka përdorur 36 herë, kurse në vitin 2020 e ka përdorur 30 herë” – shtoi më tej Tahiri.

Sipas Tahirit, raporti e konstaton si dështim të madh zvogëlimin e buxhetit për shëndetësi nga ana e kësaj qeverie.

“Më e rëndësishmja është dështimi i madh në shëndetësi pasi raporti e konfirmon situatën e rëndë për qytetarët e Kosovës në këtë sektor, raporti konfirmon se buxheti për shëndetësi u zvogëlua për 14.6% për vitin 2022” – tha ai.

Fushë tjetër, sipas Tahirit, është edhe dështimi në reformën legjislative sepse qeveria edhe pse e ka shumicën në Kuvend, dështon për të bërë kuorum.

Tutje,  zëdhënësi i LDK-së shtoi se raporti e konfirmoi qasjen pozitive të LDK-së dhe ceki se opozita ka mbështetur legjislacionin kyç lidhur me integrimet evropiane duke mbështetur me votë marrëveshjet ndërkombëtare.

Ai theksoi se raporti bazohet në të dhëna, e jo në propagandë, e që sipas tij, e zhveshin qeverinë nga propaganda duke shpërfaqur paaftësisë e saj.

Derisa, lidhur me gjendjen aktuale për liberalizmin e vizave, Tahiri tha se Qeveria nuk ka zhvilluar mjaftueshëm dialog me vendet anëtare, por po ashtu është pa strategji në politikë të jashtme. Kjo qeveri, sipas tij,  në vitin 2016 pengoi liberalizmin e vizave për Kosovën.

Këtu gjeni raportimet lidhur me raportin e progresit për vitin 2022.