LDK: Qeveria po tenton në emër të ç’kapjes të kapë sistemin e drejtësisë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë se Qeveria po tenton që në emër të ç’kapjes, të ri-kapë sistemin e drejtësisë në vend.

Deputeti i kësaj partie, Driton Selmanaj, përmes një konference për media ka deklaruar se vlerësimet e partisë së tij janë se Qeveria e Kosovës me disa nisma që i ka marrë së fundmi, ngrit shqetësimin për pretekstin që në emër të ç’kapjes, të bëjë kapjen.

“Shqetësim për ne është sesi rekomandimet e Komisionit të Venecias të shfrytëzohen për vendime jo të mira, shembull projekigji për Këshillin Prokuororial. Më 15 mars është votuar në Kuvend, ndërsa më 18 mars Komisioni i Venecias ka pas në agjendë diskutimet për këtë projekligj”, tha Selmanaj para gazetarëve.

Ai ka kërkuar nga Qeveria që Projektligjin për Këshillin Prokurorial ta tërheqë, pasi sipas tij, si i tillë ka probleme.

Selmanaj ka përmendur edhe çështjen për Byron Shtetorërore për Konfiskimin e Pasurisë, duke thënë se Qeveria e ka dërguar me vonesë për komente në Komisionin e Venecias.

“Çështja tjetër është për Projektligjin për Byron Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë. Ky Projektligj është dërguar tek tani në Komisionin e Venecias dhe ne po e ngrisim shqetësimin duke marrë parasysh praktikat”, tha Selmanaj.

Ndërsa në lidhje me procesin e Vettingut, Selmanaj tha se si parti kanë shprehur shqetësimin se si kanë shkuar procedurat në këtë proces, sipas tij, pa koncenzus politik.

“Draft-komente që Komisioni i Venecias i ka dërguar para disa dite, por që nuk i kanë bërë publike. Flasim për probleme serioze”.

Shqetësim tjetër, sipas Selmanajt të LDK-së, është edhe draftligji për inspektimin administrativ.

“Kjo Qeveri përpiqet të ndërtojë një polici hulumtuese në kuadër të administratës publike. Krejt mandati i këtij inspektorati është i gabushëm, nuk mundest inspektorati administrativ me iu fut në zyre, shërbyesit civil. Metoda të tilla askund nuk mund t’i gjeni në botën demokratike, po flasim për një sistem diktatorial ku nuk i besojnë as administratës së shtetit. Ne kërkojmë që qeveria qysh në start të tërhiqet”, tha në fund deputeti Driton Selmanaj.