LDK: Qeveria e Shpend Ahmetit ka dështuar të shpenzojë buxhetin e paraparë për vitin 2019

 

Shefqet Osmani, asamblist në Komunën e Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), shpalosi raportin financiar të Komunës së Prishtinës, ku tha se nga viti i kaluar kemi ngritje të shqetësimit për mosshfrytëzim të buxhetit të Komunës.

“Ne që nga viti i kaluar kemi ngritur shqetësimin që ky buxhet nuk do shfrytëzohet. Janë paraqitur të dhëna skandaloze, mos shpenzimi i buxhetit dhe bartja e mbi 28 milionë eurove për vitin 2020. Mos shpenzimi i grantit qeveritar 4.2 milionë euro, i cili i kthehet prapë qeverisë së Kosovës. Buxheti i Komunës për vitin 2019 ishte 111 milionë euro, duke mos llogaritur 23 milionë euro të bartura nga viti 2018, prej tyre 78 milionë janë shpenzu, 32 milionë nuk janë shpenzuar dhe 28 milionë janë bartur për vitin 2020”, tha Osmani.

Tutje Osmani përmendi edhe mos përmbushjen e premtimeve të dhëna për kërkesat e qytetarëve.

“Nuk janë bërë investime në infrastrukturën shkollore, as në rikonstruktim të rrugëve, nuk ka përfunduar rrethrrotullimi te stacioni, nuk janë ndërtuar kolektorë për kanalizime, nuk ka shtirje të rrjetit të ujësjellësit, nuk ka deponi të mbeturinave”,  tha Osmani.

Osmani përmendi edhe numrin e madh të të punësuarve me kontratë mbi vepër, që sipas tij ky numër është rritur dyfish prej vitit 2018 që kishin qenë 110, kurse në vitin 2019 janë 210 të tillë.