Foto: Lidhja Demokratike e Kosovës/ Facebook

LDK: Qeveria e Kosovës në asnjë rast nuk duhet të sillet në atë mënyrë që Serbia të duket mirë

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në Bruksel duke thënë se sjellja e qeverisë sot e ka bërë Serbinë si palë negociuese të duket mirë dhe faji ti hedhet Kosovës.

“Qeveria e Kosovës në asnjë rast nuk duhet të sillet në atë mënyrë që Serbia të duket mirë dhe të fajësohet Kosova, siç ndodhi sot”, thuhet në komunikatën për media.

LDK ka vlerësuar se shtrirja e ligjshmërisë në gjithë territorin është e drejtë e pamohueshme e Kosovës.

“LDK-ja vlerëson se stabiliteti dhe siguria janë kushte thelbësore për të arritur progres, si dhe për të ushtruar sovranitetin në gjithë territorin e saj. Shtrirja e ligjshmërisë në gjithë territorin është e drejtë e pamohueshme e Kosovës. Suksesin e garanton koordimi me aleatët tanë, ShBA dhe BE”, thuhet tutje aty.

Sipas LDK-së, Kosova nuk duhet ti humb aleatët që i kanë ndihmuar në shtet ndërtim.

“Kosovës i duhen aleatët e saj, përkrahës historik të popullit të Kosovës. Kush i dëmton raportet me aleatët, rrezikon ta lë vendin tonë pa përkrahje. Kosova ka arritur deri këtu bashkë me aleatët dhe kështu duhet të vazhdojë edhe më tutje”, thuhet tutje në komunikatë.

Sot, pas më shumë se pesë orësh takim, kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave në Bruksel.

Kryediplomati evropian, Josep Borrell tha sot se Bashkimi Evropian ka dhënë një propozim sot i cili është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe është pranuar nga presidenti serb, Akesandar Vuçiq.

Borrell tutje tha se do t’i njoftojë vendet anëtare të BE-së, për mos respektimin e detyrimeve nga palët, duke shtuar se “kjo vlen veçanërisht për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti tha se Borrell ka hequr dorë nga afati i marsit të vitit 2023 si datë përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve mes vendeve.