LDK prezanton rezolutën për adresimin e çështjes së tatimit në pronë - VIDEO

Më kërkesë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kuvendi është duke zhvilluar debat parlamentar lidhur me adresimin e çështjes së rritjes së tatimit në pronë.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka prezantuar para deputetëve rezolutën për adresimin e rritjes së çmimit të tatimit në pronë.

Hoti ka thënë se qytetarët janë informuar me vonesë për shtrenjtimin e tatimit në pronë.

“Faturat janë dyfishua pasi Ministria e Financave ka bërë rivlerësimin e pronave. Kjo ka qenë e ditur që në tetor të vitit 2022 por nuk është bërë e ditur për qytetarët. Qytetarët e kanë kuptuar kur janë shtyp faturat nga data 23 janar e këtij- ka thënë ai.

Sipas tij, LDK për të dalë nga kjo situatë po prezanton një rezolutë që sipas tij shërben për të gjetur zgjidhje.

Pikat e rezolutës të LDK-së:

  1. Ministria e Financave të pezullojë rivlerësimin e pronave dhe faturat e tatimit në pronë për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimit paraprak
  2. Ministria e Financave të sjell në Kuvend Ligjin për tatimin në pronë
  3. Ministria e Financave në bashkëpunim me komunat të bëj rivlerësimin e pronave

Në fund të janarit ka pasur shumë reagime nga qytetarët rreth ngritjes së çmimit të tatimit në pronë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Qeveria nuk ka rritur tatimin në pronë, por ka bërë një vlerësim real të pronave.

Murati, ka thënë se ligjin aktual për tatimin në pronë, për të cilin tha se është në fuqi që nga viti 2018 dhe është miratuar në Qeverinë e Isa Mustafës, ndërsa Kuvendi e ka aprovuar, kur Qeverinë e kishte marrë Ramush Haradinaj.

Murati tha se ligji obligon që në vitin e pestë të zbatimit, të hyjë në fuqi tatimi 100 për qind i tokave.

“Ligji aktual për prona ishte miratuar nga qeveria Mustafa më 4 maj 2017,  por nuk ka kaluar në Kuvend, pasi qeveria kishte rënë një javë më vonë.  Më pastaj i njëjti ligj është procedu në Qeverinë Haradinaj dhe më 26 janar 2018 ka hy në fuqi. Ky ligj ka paraparë që në vitin e pestë të hyjë në fuqi tatimimi 100%  i tokave. Viti 2023 është kur tatimi në toka aplikohet në vlerën 100 për qind, domethënë këtë e obligon ligji” – ka thënë Murati.