LDK pret numërimin e votave për t'u deklaruar për rezultatet

Zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ardita Dushi, ka thënë se LDK do të presë përfundimin e numërimit të votave e më pas do të prononcohet zyrtarisht për rezultatet dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

“Tashmë janë mbyllur qendrat e votimit dhe procesi i votimit ka përfunduar. Nga ky moment fillon numërimi i votave dhe ky proces kërkon kohën e vet, ne jemi në pritje të numërimit të votave në të gjitha komunat dhe në të gjitha qendrat e votimit. Pas përfundimit të numërimit të votave LDK do të dalë dhe do të prononcohet zyrtarisht lidhur me rezultatet dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në përgjithësi”, ka deklaruar Dushi në një konferencë të shkurtë për media.

Ajo ka falenderuar të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit për angazhimin e tyre dhe i ka ftuar që me përgjegjësi të vazhdojnë punën me të cilën janë ngarkuar.

Sipas KQZ-së, pjesëmarrja në zgjedhjet e sotme është 47% apo 843.848 votues.

Para pak kohësh KQZ ka filluar edhe publikimin e rezultateve të numërimit të votave, kuti pas kutie.

Deri tani, LVV është duke prirë me 44,85%, PDK me 18,61%, LDK me 13, 84%, AAK me 8,88% dhe Nisma Socialdemokrate me 2,76%.

Pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 19:00, disa televizione kanë publikuar exit pollet, të cilat e kanë nxjerrë LVV-në të parën.

Derisa votat po numërohen brenda dyerve të mbyllura nëpër qendrat e votimit, qytetarët gjithndej Kosovës kanë dalë për të festuar fitoren potenciale të Lëvizjes Vetëvendosje.