LDK premton rritjen e buxhetit për barna nga 30 në 70 milionë euro

Haxhi Avdyli, kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë me ardhjen e Vjosa Osmanit në krye të Qeverisë, sektori i barnave do të menaxhohet më mirë sesa deri më tani.

Për këtë, ai tha se LDK do ta rris edhe buxhetin në këtë sektor.

“Derisa të fillojnë sigurimet shëndetësore, ne planifikojmë buxhetin 35 milionë euro për barna ta rrisim në 70 milionë euro. Kjo do të rritet menjëherë, 70 milionë euro do ta ketë sektori farmaceutik, nuk do të ketë më mungesë të barnave për pacientë të shtrirë nëpër spitale. Kjo do të ndodhë në buxhetin e parë të Vjosa Osmanit”, tha ai në #DebatPernime.

Por, autorja e emisionit #DebatPernime ia përmendi një punësim gjatë qeberisës së LDK-së dhe Isa Mustafës.

“Gjatë kohës së Imet brahmanit, ministër nga LDK dhe qeverisjes së Isa Mustafës, Sulltane Havolli, motra e Sokol Havollit, ish- këshilltar i Isa Mustafës në kohën e Qeverisë”, tha Jeta Xharra.

Por, Avdyli tha se nuk do të merren me punësimet e kaluara por do të luftojnë për depolitizim.

“Nuk do të merrem me asnjë punësim sepse është jashtë temës. Ne do të punojmë në depolitizimin dhe departizimin dhe kjo ka qenë edhe premtim i Vjosa Osmanit”, tha ai.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Arlinda Sopi e Leutrim Sahiti (NISMA-AKR- PD), Artan Ahmeti e Fiknete Bejta (AAK-PSD), Haxhi Avdyli (LDK), Fatmire Kollçaku e Qemajl Aliu (VV) dhe Uran Ismaili (PDK).

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.