
Kandidati i LDK-së për deputet, Arben Gashi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
LDK premton politika të reja fiskale, siguri për investitorët dhe ndryshim të subvencioneve në bujqësi
Nëse LDK vjen në pushtet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, kandidati për deputet nga kjo parti, Arben Gashi, thotë se do të bëhen reforma në politikat fiskale me qëllim të rritjes së zhvillimit ekonomik në vend.
Një nga reformat urgjente, sipas tij, është mbledhja e TVSh-së brenda Kosovës, meqë sistemi aktual, sipas tij, po u shkakton dëme të mëdha bizneseve.
“Një biznese nëse e bije një material apo produkt në Kosovë apo çkado, ai duhet ta paguaj 18% të TVSh-së qysh në hyrje dhe ndoshta i inkasohen [mjetet] pas 5-6 muajve. Kështu i humb likuiditeti. Për me pas likuiditet, ai duhet me shku me marrë kredi në bankë. Kredia i kushton 8-10%. Pra, ai duhet me e rrit çmimin ose përndryshe del me humbje dhe falimenton. Dhe, kjo po ndikon në jetën e qytetarëve”- tha ai.
Përveç kësaj, sipas tij, pritet edhe “rritja e investimeve publike, përfundimi i rrugëve autostradave dhe krijimi i besueshmërisë se paraja e shtetit po hynë dhe po qarkullon në ekonominë e Kosovës dhe përfitues final është qytetari i Kosovës”.
Ndërsa me prioritet nga LDK, sipas tij, do të jetë edhe nxitja e investimeve kapitale nga investitorët e huaj, duke ofruar një ambient të përshtatshëm dhe siguri juridike për investitorët.
Ai tha se për interesa strategjike duhet të ketë edhe pajtueshmëri mes qeverisë dhe kompanive të mëdha për krijimin e mundësive për investime, derisa përmendi se me tender nuk mund të bëhet industria e armatimit.
“Unë mendoj së duhet për interesa strategjike, shtetërore. Supozoj, industrinë e armatimit nuk mundesh me ba me tender, ose industrinë e dronëve ushtarakë. Ato nuk bëhen me tenderë, ato bëhen me negocime të drejtpërdrejta. I jep lehtësira fiskale, territoriale, financiare …”- tha ai.
Gjithashtu, Gashi premtoi se me ardhjen e tyre për bujqit do të ketë subvencione për produkt por jo për territor, siç ka ndodhur deri me tani.
“Elementi i parë është subvencionimi i produktit, pra ne do të subvencionojmë produktin jo territorin. Deri më tani është subvencionuar territori. I ke 20 hektarë tokë edhe ti shkon e thu i kam mbjellë grurë, vjen një komision e vërteton pa qenë hiç që ka qenë grurë dhe ta subvencionon”- tha ai.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha se në këto zgjedhje zyrtarisht i kemi katër kandidatë për kryeministër.
“Të gjithë i kam ftuar për me qenë pjesë e një përballjeje të përbashkët. Ju kam dërguar ftesa e ju kam treguar rregullat e debatit, por i pari që ka refuzuar me u përball me kundërkandidatët e vetë ka qenë Albin Kurti”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim: