Kandidati i LDK-së për deputet, Ardian Shala. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

LDK synon të zvogëlojë listën e pritjes së pacientëve përmes investimeve në aparatura mjekësore

Me synim të ardhjes në pushtet, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka paraparë që në kuadër të reformave në sektorin e Shëndetësisë të bëhet edhe zvogëlimi i listës së pritjes së qytetarëve në marrjen e shërbimeve mjekësore.

Lidhur me këtë çështje, kandidati për Deputet i kësaj partie, Ardian Shala ka thënë se do të bëhen investime në aparatura të ndryshme, me qëllim që kjo listë të zvogëlohet.

“Investime mbi 100 milionë në aparatura të ndryshme, heqjen e listave që janë në pritje me muaj. Unë i përkas sferës së kardiologjisë. Vetëm në sferën tonë presin për intervenime në arterie koronare mbi një vit. Është e dhimbshme nëse një familjar i dikujt pëson diçka të papritur, që nuk kemi dëshirë ta themi, e ne mos të jemi të zot ta zbresim këtë listë të pritjes të paktën në një javë, ose me heq fare.” – ka deklaruar Shala në “Debat Përnime”, më 21.01.2025.

Ndihmesë në zvogëlimin e listës së pritjes, LDK e konsideron edhe digjitalizimin e sistemit të Shëndetësisë.

Kandidati Ekrem Hyseni tha se kjo reformë më pas shërben edhe si bazë për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

“[Kjo paraqet] rrugën e shërbimit që ka me e ndjekë pacienti prej momentit që paraqitet te mjeku e deri të përfundimi i trajnimit. Dhe, në këtë rrugë janë të gjitha degët që tregojnë edhe shpenzimet që kanë ndodhë, edhe ato shpenzime për çka kanë qenë. [Pastaj] numri i ilaçeve të shpenzuara, numri i shërbimeve që kanë marrë dhe kjo është edhe baza e funksionimit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Dhe, kjo bëhet funksionale për dy vjet të qeverisjes tonë.” – ka thënë Hyseni.

Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.

Rritje të buxhetit, qendër të re spitalore dhe funksionalizim të SISh-it: Zotimet e LDK-së për shëndetësinë