Kandidatja e LDK-së Fatbardha Istrefi-Avdiu. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com.

LDK premton depolitizim të arsimit dhe pavarësi financiare për universitetet publike

Investimet që planifikon t’i bëjë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në fushën e arsimit, nëse pas zgjedhjeve të 9 shkurtit del fituese, pretendohet nga ana e kandidatëve të saj për deputetë, se do të ndikojnë edhe në pavarësinë financiare të universiteteve publike.

Të paktën kështu është zotuar kandidatja për deputete nga radhët e kësaj partie, Jehona Lushaku-Sadriu.

Sipas saj, nuk duhet që universitetet publike të varen vetëm nga financat e shtetit.

“Nuk shkon që universitetet publike të mos kenë të hyra të tjera përveç atyre të shtetit. Ne dëshirojmë që ato të mbesin autonome dhe si të tilla të gjenerojnë të hyra”- ka theksuar Lushaku-Sadriu.

Kandidatja e LDK-së Jehona Lushaku-Sadriu. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Pavarësia financiare e universiteteve publike, sipas Lushaku-Sadriut, do të mund të bëhet pas investimeve në digjitalizim dhe investimeve në hulumtime shkencore.

Ndërsa, bashkëpartiakja tjetër, Fatbardha Istrefi- Avdiu, në kuadër të reformave në arsim përmendi edhe krijimin e qendrave profesionale.

“Do të formojmë qendrat profesionale që do të lidhin shkollën me biznesin dhe do të menaxhojnë praktikën. Qendrat do të krijojnë mundësi që shkollat profesionale të ofrojnë shërbime dhe të krijojnë mjete vetanake”- ka thënë Istrefi-Avdiu.

Tutje, Istefi-Avdiu përmendi edhe nevojën e depolitizimit të sistemit të arsimit, sidomos të udhëheqësve të shkollave.

“Drejtorët do të zgjedhën në bazë të performacës së tyre dhe do të kemi parasysh depolitizimin e arsimit”- ka thënë Istrefi-Avdiu.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Planet e LDK-së për arsimin në Kosovë dhe për investime në rajonin e Ferizajt