Kandidatët e LDK-së për zgjedhjet 2025. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

LDK planifikon digjitalizimin e sistemit të drejtësisë dhe themelimin e Qendrës Hetimore

Në “Debat Përnime”, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka prezantuar një pjesë të programit të saj zgjedhor në fushën e drejtësisë.

Kandidatja për deputete nga kjo parti, Doarsa Kica-Xhelili, tha se luftimi i korrupsionit do të bëhet pa u përdorë si parullë politike, dhe se, si reformë jetike në sistemin e drejtësisë do të bëhet digjitalizimi i institucioneve të këtij sistemi.

“Duke filluar nga digjitalizimi i sistemit të drejtësisë do ta shihni një transparencë të sistemit të drejtësisë që nuk e keni parë kurrë më parë”- premtoi Kica-Xhelili.

Digjitalizimi i sistemit të drejtësisë, sipas saj, do t’i evitojë shumë hapa procedural të panevojshëm e që janë pengesë për institucionet e drejtësisë.

Madje, Kica-Xhelili tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë sikur është shndërruar në një monstrum. Për këtë, ajo tregoi se çfarë duhet të bëjë politika në këtë rast.

“Çka duhet të bëj politika është me shku e me pyet a po do me punu? Çka po të duhet? A po të duhet ekip? A të duhen mjete? A të duhet ekspertizë ndërkombëtare? A duhet sistem- qe ku i ke. Vazhdo punën e pastaj flasim”- theksoi Kica-Xhelili.

Ndërsa, bashkëpartiaku tjetër, Shkëmb Manaj përsëriti premtimin e kandidatit për kryeministër të LDK-së Lumir Abdixhiku, për rritjen e pagave sapo “ta marrin mandatin”.

Në këtë kontekst, ai përmendi uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.

“Jo që nuk do të zvogëlohen pagat për prokurorë dhe gjyqtarë, por ato do të rriten sipas propozimit të kryeministrit tonë në ardhje, Lumir Abdixhiku. Që në javën e parë do të bëhet koeficenti 150 euro. Por, te prokurorët dhe gjyqtarët është një çështje tjetër- që ju kanë zvogëluar pagat dhe na duhet ta kthejmë gjendjen në pikën ku ka qenë sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”- është shprehur Manaj.

Pjesë e reformave që LDK-ja premton t’i bëjë nëse vjen në pushtet është edhe luftimi i korrupsionit, përfshirë këtu pastrimi i parave.

Për këtë, kandidati për deputet, Alban Zogaj, tha se në fokusin e programit të LDK-së është lufta ndaj krimit dhe informalitetit.

“Ne e kemi shumë të fokusuar programin tonë në luftën ndaj krimit dhe informalitetit. Në ekonomi pastrimi i parave konsiderohet pjesë e informalitetit. Luftën ndaj informalitetit e përdorim në planprogramin tonë”- ka theksuar Zogaj.

Ndërkaq, Shkëmb Manaj tha se LDK-ja parasheh ndërtimin e Qendrës Hetimore e cila do të funksionojë si Njësi Speciale e Policisë të Kosovës e që kontrollohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Një qëndrim lidhur më këtë e dha edhe Doarsa Kica-Xhelili, e cila tha se me rregullim e brendshëm të sistemit të drejtësisë do të mundësohet që të rregullohet edhe problemi i “pastrimit të parave”.

“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para zgjedhjeve parlamentare të 09.02.2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë programin e tyre përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometri”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë.

Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime”, prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim me partia në pushtet, partitë tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetareve të Kallxo-it.

“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin”, ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të debatit të parë zgjedhor në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

LDK premton në “Debat Përnime” reforma në drejtësi dhe investime kapitale miliardëshe