Kuvendi, 15 janar 2022

LDK pjesë e seancës së thirrur nga Kurti në lidhje me referendumin e Serbisë

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë zënë vendin e tyre në sallën plenare të Kuvendit, pak minuta para nisjes së seancës.

Pjesëmarrjen e deputetëve të LDK në këtë seancë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Arben Gashi.

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti në lidhje me referendumin e Serbisë.

Në Kuvend shihen edhe deputetët e AAK-së, ndërsa PDK ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në seancë, ndonëse e përkrahin qëndrimin e Qeverisë që referendumi serb në Kosovë të mos mbahet nëpër vendvotime.

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet që të lejojë mbajtjen e referendumit serb të dielën në Kosovë.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se qytetarët e Serbisë që jetojnë në Kosovë këtë të drejtë ta shfrytëzojnë përmes dy opsioneve: përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.

Sipas Qeverisë së Kosovës, diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e referendumit.