Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK për 'non-papers': Duhet të kundërshtohen fuqishëm, e rrezikojnë shtetësinë e Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) konsideron që dokumentet jo-zyrtare të njohura si “non-papers”, në lidhje me territorin e Kosovës, duhet të kundërshtohen fuqishëm.

Në një konferencë për media, anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Teuta Sahatqija ka thënë se këto dokumente e rrezikojnë kushtetutshmërinë dhe shtetësinë e Kosovës.

“Në LDK mendojmë që këto non-papers që po qarkullojnë kohët e fundit janë dokumente të cilat fuqishëm duhet të kundërshtohen. Janë dokumente të cilat në thelb e rrezikojnë kushtetutshmërinë, shtetësinë e Kosovës dhe si të tilla, nuk duhet të heshtet, por duhet fuqishëm të kundërshtohen”, tha ajo.

Sipas Sahatqiut, çfarëdo kthimi në kohën e pavarësisë së Kosovë, e kthen Kosovën në dialog për status.

“Njëri prej tyre flet për rikonfigurimin e Ballkanit, ndërkaq tjetri e kthen Kosovën në kohën para pavarësisë, në kohën e parimeve të grupit të kontaktit, që ka diskutuar për pavarësinë. Çfarëdo kthimi në kohën e pavarësisë së Kosovë, e kthen Kosovën në dialog për status ashtu siç po pretendon Serbia që duhet të jetë”, tha ajo.

Brenda pak javësh në media kanë dalë dy dokumente “non-papers”, ku përmendet ricaktimi i kufijve në Ballkan, si dhe mundësia e ricaktimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të marrëveshjes përfundimtare.

Dokumentet janë mohuar nga Sllovenia, Gjermania dhe Franca.

Përveç Asociacionit, Kosovës në Bruksel i kërkohet ‘Rajon Autonom i Veriut të Kosovës’ (Dokumenti i plotë)