Foto: Lidhja Demokratike e Kosovës/ Facebook

LDK për ministrin Latifi: Rezultatet konkrete të tij ishin vetëm ardhje-vajtjet jashtë vendit

Partia opozitare, Lidhja Demokratika e Kosovës (LDK), thotë se gjashtë muaj prej kur është emëruar Rifat Latifi si ministër i Ministrisë së Shëndetësisë, rezultatet e vetme konkrete deri më tani janë vetëm ardhje – vajtjet e ministrit jashtë vendit.

Sipas LDK-së, Ministri i Shëndetësisë, shumicën e kohës së tij po e kalon jashtë Kosovës, edhe pse vendi ynë është duke u përballur me probleme të mëdha në sistemin shëndetësorë.

“Vetëm në gjashtë mujorin e parë të qeverisjes së tij, mbi 1000 punëtor shëndetësorë kanë mbetur tash e tre muaj pa paga; 45 mjek kanë ikur nga Kosova vetëm për një muaj; tash e një vit Ministria e Shëndetësisë nuk ka hapur asnjë konkurs për specializime nga fusha e mjekësisë, ndërsa vetëm për dy muaj mbi 200 qytetarë të vendit tonë, kanë kërkuar shërim jashtë vendit”, thuhet në një reagim të LDK-së në Facebook.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ishte emëruar në këtë pozitë në nëntor të vitit të kaluar, ai u fol si shembull që la karrierën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u rikthyer në Kosovë si ministër i Shëndetësisë, por pas kësaj u kritikua për vizita të shpeshta jashtë vendit.

KALLXO.com kishte raportuar në dhjetor të vitit të vitit 2021, se në kohën kur Kosovë dominonte varianti i COVID-19, Omicron, ai udhëtoi për ShBA.

Në kohën kur në Kosovë vjen ‘Omicron’, ministri Rifat Latifi udhëton në ShBA

.