
Kandidati i LDK-së për deputet, Arben Gashi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
LDK për marrëveshje të re në vend të asaj të Ohrit
Kandidati për deputet, Arben Gashi në emër të LDK-së, thotë se Marrëveshja e Ohrit është më e keqe se ajo që është nënshkruar në vitin 2013 nga Hashim Thaçi, dhe ajo e vitit 2015 e nënshkruar nga Isa Mustafa.
“Problemi i ndërtuar nga zotëri Kurti është aty- Marrëveshja e Ohrit dhe e Brukselit është shumë më e keqe se marrëveshjet paraprake”- tha ai në “Debat Përnime”, më 06.02.2025.
Për Marrëveshjen e Ohrit, e cila është arritur nën ndërmjetësimin e Brukselit, ai tha se është e pazbatueshme dhe si e tillë duhet të rishikohet.
LDK-ja kërkon një marrëveshje të re, gjithëpërfshirëse dhe finale, që siguron njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, pa krijuar nivele të treta të qeverisjes që do të dëmtonin karakterin unitar të shtetit, tha ai.
Për të arritur një marrëveshje të tillë, Gashi thekson nevojën për një negociatë të re me administratën e SHBA-së, ndërmjetësuesin europian dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ai e cilëson si të papranueshëm Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit, dhe thekson se një marrëveshje e tillë do të dëmtonte interesat e Kosovës dhe do të rrezikonte të ardhmen e vendit.
“Duhet një marrëveshje e re gjithëpërfshirëse, ai Asociacion është i papranueshëm”- tha ai.
Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian, ka nisur më 2011. Gjatë procesit janë arritur disa marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar.
Për Marrëveshjen e Ohrit më 18.03.2023 pas 10 orë bisedimesh, kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha se në këto zgjedhje zyrtarisht i kemi katër kandidatë për kryeministër.
“Të gjithë i kam ftuar për me qenë pjesë e një përballjeje të përbashkët. Ju kam dërguar ftesa e ju kam treguar rregullat e debatit, por i pari që ka refuzuar me u përball me kundërkandidatët e vetë ka qenë Albin Kurti”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim: