LDK: Partia në pushtet e mbrojti Nagip Krasniqin

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, në një konferencë për media foli lidhur me aktakuzën e ngritur ndaj ish drejtorit të KEK-ut Nagip Krasniqi, duke thënë se atë e ka sjell dhe mbrojtur partia në pushtet.

“Vet instalimi i tij në krye të KEK-ut ka qenë problematik. Këtë person aty e solli partia në pushtet. Ai erdhi në këtë pozitë nga Bordi i përkohshëm që ka emëruar Kurti. Edhe pas arrestimit, i madh e i vogël nga partia e pushtetit e nga qeveria i dolën në mbrojtje atij”- ka thënë Azemi.

Ai ka thënë se krimi në KEK me energji duhet të ndalet.

“Presim e angazhohemi që bashkë me mafinë energjetike të bie më 9 shkurt edhe ky pushtet”- është shprehur ai.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjitike të Kosovës, Nagip Krasniqi për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Nagip Krasniqi ishte arrestuar me 19.04.2023 nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit

Krasniqi kishte qëndruar nën masën e paraburgimit që nga 20.04.2023, por ishte liruar pesë muaj më pas, me 15.09.2023.

Arrestimi i Krasniqit është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.