LDK paralajmëron se do ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj ka kërkuar nga pozita që të reflektojë edhe një herë para se të miratojnë Ligjin për Zyrtarët Publikë, duke thënë se më pas do detyrohet që të njëjtin ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Selmanaj e ka cilësuar këtë ligj si një ndër veprimet më shkatërruese për administratën e shtetit.

“Është momenti i fundit që të reflektoni, na detyroni domethënë të ndërmarrim hapa tjerë pra instrumentin kushtetues, për ta ndalë. Kjo qasje është ndër veprimet më shkatërruese të kësaj qeverie për të shkatërruar bazën e shtetit, administratën e shtetit”- deklaroi Selmanaj.

Selmanaj tha se me këtë ligj po lejohet se mbikëqyrësit të transferojnë njerëz në Kosovë kurdo që e vlerësojnë një nëpunës shtetëror.

“Po ju lejoni mbikëqyrësve, po i lejoni Xhelal Sveçlës, po ju lejoni sekretarëve, po ju lejoni militantëve tuaj që të transferojnë njerëz në Kosovë kurdo që e vlerësojnë një nëpunës shtetëror në Kosovë. Kjo i bie që sot dikush punon në Prishtinë dhe e organizon jetën në Prishtinë dhe me një vendim të mbikëqyrësit transferohet në Prizren dhe nuk ka drejtë ta refuzojë vendimin”- ka thënë ai.

Deputeti i LDK-së u shpreh se kjo është përpjekje për të politizuar administratën e shtetit, duke shtuar se edhe Zyra e Bashkimit Evropian sipas tij, ka konstatuar se praktika të tilla nuk janë të njohura për vendet demokratike .

“Kjo qasje është shkatërrim i sistemit, është përpjekje për të politizu skajshmërisht administratën e shtetit, nuk i bën nder as juve e askujt kjo qasje e kjo mënyrë. Kryetar po më vjen çudi se ti ke marrë letër nga BE dhe nuk ke reaguar fare dhe as komisionet”-, theksoi Selmanaj.

“Zyra e BE-së nisë me konstatimin se praktika të tilla nuk janë të njohura për vendet demokratike, flet për mundësinë e nepotizmit, politizimi e korrupsioni i administratës shtetërore dhe Qeveria nuk dëshiron të merret per to. Nëse keni fillu të mos ndieni as për SHBa e as për BE, kush janë adresat që ju i keni referencë?”- shtoi ai.

Javën e kaluar, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar propozimin që shqyrtimi i Projektligjit për Zyrtarët Publikë dhe Projektligjit për Paga të bëhet me shmangie nga afatet procedurale të parapara sipas rregullores. Me kërkesë të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për këtë mocion Kuvendi ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme. Pro këtij propozimi votuan 64 deputetë, ndërsa nuk pati vota kundër, as abstenime.

Deputetët e opozites në vazhdimësi kanë kritikuar disa nene të kttij projektligji.Në seancën e 9 dhjetorit është miratuar në lexim të parë Projektligji për pagat në sektorin publik. Për kanë votuar 68 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.Projektligji për Zyrtarët Publikë është miratuar me 61 vota për dhe 1 abstenim.