Takimi i kryetarëve të degëve të LDK-së Foto: LDK

LDK nuk jep shenja për arritjen e marrëveshjes me Vetëvendsojen

Lidhja Demokratike e Kosovës sot nuk do të mbaj takim të Këshillit të Përgjithshëm.

Kështu ka thënë për gazetar zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa.

Ai nuk ka treguar nëse do të takohen Isa Mustafa dhe Albin Kurti, ndërsa ka thënë se detajet e marrëveshjes janë deleguar te ekipi negociues.

“Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së i diskuton parimet e marrëveshjes dhe jo detajet e saj. Këto detaje i janë besuar me autorizim të plotë ekipit negociues të LDK-së. Sot nuk ka takim të Këshillit por, si gjithnjë, do të ju njoftojmë me kohë për takimin e radhës”, ka thënë shkurt ai.

Ndërsa, dje gjatë ditës, Kurti në një takim me kryetarët e degëve të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se është në pritje të një përgjigjeje ndaj një propozimi të ri që ia ka bërë Isa Mustafës të enjten.

“Për propozimin tonë të fundit na është thënë që do të trajtojnë në organet e tyre, meqenëse ky propozim ishte risi”, citohet të ketë thënë Albin Kurti.

“Derisa nuk mund të flas se cila është përmbajtja e tij dhe çfarë do të bëjmë ne, pasi që kjo është pjesë e negociatave, unë mund të flas për atë se çka nuk do të bëjmë”, thuhet tuje në komunikatën për media të LVV-së.

Sipas Kurtit, aktualisht asnjëra palë në negociata nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë, duke lënë të kuptohet se zgjedhja e Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor nuk mund të kthehet mbrapa.

“Është e vërtetë se jemi afruar, dhe po u afruam edhe pak, do të bëjmë marrëveshje. Vullnet e interes kemi, por garancion nuk mund të jap sepse nuk varet nga unë. Jam i gatshëm të takohemi përditë, edhe të mbyllemi në ndonjë vend derisa të merremi vesh, por këtë mund ta them për veten, jo për palën tjetër”, ka deklaruar Kurti dje gjatë ditës.

Gjatë javës së kaluar, dy shefat e partive të cilat dolën të parat në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, u takuan tri herë radhazi, por nuk u pajtuan që të nënshkruajnë marrëveshjen e cila do t’i caktonte edhe postet brenda ekzekutivit të ri kosovar.

Ambasadori Amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, para pak çastesh ka përfunduar takimin brenda zyrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Detajet nga takimi nuk janë bërë të ditura për gazetarët.

Nuk dihet nëse sot do të ketë takim ndërmjet liderit të Lëvizjes Vetëvendsoje, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa për arritjen e një koalicioni qeverisës.

Përfundon takimi në LDK me ambasadorin Kosnett

 

www.kallxo.com