Foto: Kallxo.com

LDK nis mbledhjen e kryesisë para seancës së Kuvendit

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) ka nisur mbledhja e kryesisë e thirrur pak orë para se Kuvendi ta mbajë mbledhjen konstituive.

“Nuk është paraparë të ketë takim me Lëvizjen Vetëvendosje. Nëse para kuvendit do të kemi sinjale do të komunikojmë”, tha kryetari i LDK-së para se të fillojë kjo mbledhje.

“Sot me anëtarët e kryesisë do të bëjmë përgatitje për mbledhje të Kuvendit”, shtoi ai.

Mbledhja e kryesisë së LDK-së, vjen pas bllokadës së krijuar në mes kësaj partie dhe Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e koalicionit qeverisës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dje ka konfirmuar se bisedimet për koalicion qeveritar me LDK-në nuk kanë prodhuar marrëveshje.

Në një deklaratë të lëshuar në Facebook, Kurti ka thënë se bisedimet nuk kanë prodhuar rezultat.

Foto: Kallxo.com

Një ditë para se Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit të konstituohet, Kurti ka thënë se do të provojë të gjejë një zgjidhje deri në momentin e fillimit të seancës, e cila është thirrur për sot në orën 15:00.

Kurse, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar pas njoftimit nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje për dështimin e bisedimeve për formimin e koalicionit qeverisës mes këtyre dy partive.

Isa Mustafa thotë se për të dhe LDK-në, negociatat nuk kanë dështuar.

“Ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t’ia hedhur fajin LDK-së”, ka shkruar Isa Mustafa në Facebook.

Foto: Kallxo.com