FOTO - LDK

LDK nesër zgjedh kryesinë e re

Lidhja Demokratike e Kosovës nesër pritët të mblidhet për të zgjedhur kryesinë e re të saj.

Në një njoftim për media, LDK tha se Këshilli i Përgjithshëm do të diskutojë edhe për perceptimin e publikut ndaj partisë, para zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Nesër (e premte), më datë 23 gusht 2019, në orën 17:30, në Selinë e LDK-së, mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së ku do të diskutohen rezultatet në zgjedhjet e fundit të përgjithshme dhe lokale dhe perceptimi publik për LDK-në si dhe do të zgjedhet Kryesia e LDK-së”, thuhet në komunikatën për media të LDK-së.

Mbledhja do të mbahet prej orës 17:30 në zyrat qendrore të LDK-së.

Isa Mustafa është rizgjedhur më 3 gusht në krye të kësaj partie për herë të tretë radhazi.

Fatmir Sejdiu tentoi të kandidoi, por për shkak të rregullave statusore, ai tha se u përjashta nga gara.

Sot është shpërndarë Kuvendi i Kosovës ndërsa vendi pritët të shkojë në zgjedhje më së largu në fillim të muajit tetor.

Deri më tani, Isa Mustafa ka deklaruar se preferon të shkojë në zgjedhje pa ndonjë koalicion parazgjedhor ndonëse Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar pro një mundësie të bashkimit të forcave.