Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK: Nëse nuk do të mund t’i kontrollojmë kazinotë, nuk do t’i hapim

Kandidatja për deputete, Hykmete Bajrami, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se kazinove e lojërave të fatit do t’u bëhet një analizë fillimisht.

Bajrami ka thënë se nëse si qeveri nuk do të arrijnë që t’i kontrollojnë, pas analizës, atëherë nuk do t’i rihapin.

“Kazinotë janë mbyll me ligj dhe kërkesa e seanca ka qenë kërkesë e jona sepse kanë dalë jashtë kontrollit të çdo institucioni në çdo cep të Kosovës. Ne e kemi dërguar ligjin për Lotarinë e Kosovës dhe me atë ligj e kemi rregulluar vetëm funksionimin e lotarisë së Kosovës duke mos lejuar baste e gjëra të tilla. Sa i përket kazinove dhe basteve kjo fillimisht duhet të analizohet dhe nëse ne nuk do të jemi në gjendje ta kontrollojmë atëherë ne nuk do ta lejojmë hapjen e tyre. Sa i përket aktiviteteve online ne do ta rregullojmë me legjislacionin e ri”, ka deklaruar Bajrami.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Fatmir Gashi nga AAK, Hykmete Bajrami nga LDK dhe Elbert Krasniqi nga IRDK, të cilët do të flasin për ‘Zhvillim Ekonomik.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.