Logo e LDK-së - Foto: Facebook
LDK në Vushtrri largon tre anëtarë nga partia, votuan me PDK-në për zgjedhjen e kryesuesit
Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Vushtrri ka njoftuar se ka larguar nga partia tre aktivistët dhe njëherit asamblistët, Agron Perçuku, Alban Bajrami dhe Behar Duraku.
Sipas LDK-së, largimi i tyre ndodhi për shkak se asamblistët e lartpërmendur bashkuan votën e tyre me Partinë Demokratike të Kosovës, mbështetën zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit dhe zgjedhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF), në kundërshtim me vendimin e degës së LDK-së.
“Tradhëtarët u vetdemaskuan në këto dy mbledhje të Kuvendit të Komunës. Prandaj, për të gjithë aktivistët e devotshëm të LDK-së në Vushtrri tashmë është e qartë që këta tre persona për qëllime përfitimi personal e kanë tradhtuar besimin e elektoratit dhe aktivistëve të LDK-së duke dëmtuar rëndë LDK-në, madje me veprimet tinëzare të tyre edhe gjatë fushatës elektorale duke ia dhuruar PDK-së fitoren e pamerituar në Vushtrri”, njofton LDK.
Tutje në njoftimin e LDK-së thuhet se kryetari i komunës, Ferit Idrizi, vazhdimisht në debate televizive deklaronte hapur e publikisht që ka mbështetjen e disa aktivistëve të LDK-së.
“Për z. Idrizin e sekserët e tij politikë, që blejnë e tregëtojnë me vota asambleistësh, ju themi që janë të humbur, qeverisja juaj është e paaftë dhe pa vizion për qytetin e Vushtrrisë. Pushteti me vota të manipuliara nuk mundet të caktojë përfaqësuesit e opozitës në KPF, është praktikë jodemokratike e paparë dhe e padëgjuar në historinë institucionale të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
LDK, dega në Vushtrri njofton se do t’i drejtohet me ankesë Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për këtë shkelje të Kuvendit të Komunës.
Për këtë largim ka reagur njëri nga asamblistët e përjashtuar, Agron Përçuku, i cili ka thënë se ky vendim është në kundërshtim me statutin e LDK-së.
“Neni 13 i Statutit përcakton se përjashtimi i një anëtari është kompetencë ekskluzive e Komisionit Disiplinor të Kryesisë së LDK-së në nivel qëndror dhe vetëm kur janë vërtetuar shkeljet disiplinore. Sonte, Kryesia e degës së LDK-së e ka shkelur këtë nen”, ka shkruar Përçuku.
Ndër të tjera ai ka thënë se në mbledhjen e mbajtur nuk ka pasur kuorum për marrjen e vendimit.
“Kryesia e degës së LDK-së në Vushtrri ka 23 anëtarë, ndërsa sot në mbledhje kanë marrë pjesë vetëm 10 anëtarë. Rrjedhimisht, kryesia ka vepruar edhe në këtë rast në kundërshtim me Statutin”, ka thënë Përçuku.
Përquku ka shtuar se ai dhe kolegët e tij do të vazhdojnë të jenë pjesë e LDK-së dhe se “anëtarësia e mirëfilltë e LDK-së, do t’ua tregoj vendin”.