Dega e LDK-se Suhareke, krytari, Ardian Shala

LDK në Suharekë: Qeverisja e Bali Muharremajt shpërfilli listën e Asamblesë për projektet kapitale e bëri shumë shkelje

Partia opozitare në Suharekë, LDK-ja, ka akuzuar pushtetin lokal, të drejtuar nga AAK-ja, për keqpërdorime të shumta.

Në një konferencë për media, kryetari i degës së LDK-së, Ardian Shala, tha se qeverisjen aktuale e karakterizon paaftësia menaxhuese, mashtrimi, keqpërdorimi e nepotizimi.

“Ne si degë e LDK-së e kemi bërë një analizë dhe e kemi gjetur një varg shkeljesh. Për shkak të volumit të madh të gjetjeve, ne para jush sot do t’i prezantojmë vetëm disa prej tyre”, tha Shala.

Sipas tij, udhëheqja komunale nuk ka përfillur listën e projekteve të miratuara nga Asambleja Komunale.

“Po fillojmë me sektorin e infrastrukturës, i cili më së shumti është goditur nga keqpërdorimet për shkak se ky sektor menaxhon pjesën më të madhe të buxhetit. Këtë sektor e karakterizojnë shkelje e ligjit, duke mos përfillur listën e projekteve të miratuara nga Asambleja Komunale. Përkundër vërejtjeve tona, kryetari Bali Muharremaj ka vazhduar ta shkelë ligjin. Vetëm këtë vit kemi identifikuar 10 shkelje, e besojmë që ka edhe më shumë”, tha ai.

Ardian Shala rastet identifikuar në Samadraxhë, Gjinoc, Sallagrazhdë, Vraniq, Leshan, Tërrnje, Mushtisht, Reqan e të tjera.

Ai mori një shembull të fshatit Tërrnje.

“Ndërtimi i rrugëve lokale “Pranvera” dhe “Dajti”, ku komuna ka zhvilluar dy procedura. Në kontratën e parë është punuar në rrugën “Gonxhe Bojaxhiu” dhe “25 Maji”, jashtë planifikimit ndërsa nuk është vendosur rruga “Pranvera”, e cila ka qenë në planifikim. Në kontratën e dytë, për çudi prapë nuk e hedh në tender rrugën “Pranvera” por rrugën “Gonxhe Bojaxhiu”, çka do të thotë qartë se këtu kemi shkelje të vendimeve të Asamblesë dhe për një planifikim joprofesional e pa kurrfarë analize”, theksoi Shala.

Tutje, kryetari i degës së LDK-së në Suharekë theksoi se më 2019 në Gelancë u shtrua rruga private e kryetarit të nëndegës së AAK-së së atij fshati, duke mos zbatuar dhe duke i hequr projektet që kanë qenë të parapara edhe të miratuara nga Asambleja Komunale.

Ai përmendi edhe projektet e dy viteve më parë.

“Edhe në vitin 2018 kemi disa projekte që janë jashtë listës së miratuar nga Asambleja Komunale. Si ato në fshatrat Mushtisht e Studenqan, e në Suharekë, siç ka qenë projekti i sheshit, 380 mijë euro të planifikuara për shesh dhe janë destinuar në rrugë lokale, në qytet pa asnjë vendim të Asamblesë Komunale që është si organi kompetent për këtë çështje”, shtoi Ardian Shala.

Po ashtu, ai tha se gjatë analizës kanë vërejtur që shumica e kontratave janë pa projekte, “ku mundësitë për manipulime dhe keqpërdorime financiare janë tepër të mëdha”.

Shala përmendi se gjatë fushatës elektorale, kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, premtoi se asnjë projekt ose investim në infrastrukturë nuk do ta bëhet pa projekt.

Më tej Shala thotë se mjaft shqetësuese është keqmenaxhimi i kontratave dhe kualiteti i dobët i punimeve. “Që është pasojë e kurdisjes së paramasave, mbikëqyrjes së dobët të punimeve”, shtoi ai.

“Shembull tipik që e ilustron menaxhimin e keq të projekteve është rregullimi i sheshit të qytetit. Sheshi ishte ide e LDK-së, por tani gjithçka mund të quhet mirëpo nuk quhet shesh, ku frekuentohet nga automjete. Kemi një vend ku fëmijët dhe të moshuarit janë të rrezikuar në çdo moment dhe si pasojë e rrezikut nga automjetet, nuk mund t’i shfrytëzojnë këndet e dedikuara për ta. Pra në qytet nuk kemi shesh, por kemi trotuara të zgjeruara”, theksoi Shala.

Sipas Ardian Shalës, për këtë projekt, qeveria komunale ka zhvilluara dy procedura për hartim të projektit. “Në procedurën e parë, projektin e fiton një kompani me vlerë prej 16 mijë euro, pas ankesave që janë bërë inicion edhe procedurë të dytë ku e fiton një kompani e cila për fat qëllon po e njëjta kompani dhe e fiton me vlerë 48 mijë euro. Pra, vlera totale e këtyre dy projekteve, ka qenë në shumën e 64 mijë eurove për projektim”, tha ai.

“Përkundër gjithë këtyre shpenzimeve për projektim, gjatë analizimit janë bërë ndryshime substanciale, pa ndjekur procedurat e nevojshme,  pa miratim të Asamblesë Komunale, pa miratim të kompanisë projektuese, dhe pa asnjë diskutim tjetër publik, me të cilat është devijuar koncepti i sheshit. Për çudi, ekzekutimin epunimeve e fiton kompania “Hidroterm” e bashkëpartiakut të kryetarit  në vlerë rreth 2 milionë euro dhe pse kishte dhe dy ofertues më të lire”, tha ai.

Sipas Shalës, rast i dyshimtë për keqpërdorim të parasë publike është kontrata e sanimit dhe mirëmbajtjes së rrugëve të lidhur në mes të Komunës së Suharekës dhe kompanisë së afërt me kryetarin Muharremaj, ku dihet se Komuna nga taksat e qytetarëve tanë për këtë projekt ka shpenzuar afër gjysmë milion euro dhe nuk kemi investimet për të cilat është paguar kompania.

Sanimi dhe Mirembajtaj e rrugeve

“Sepse kemi nivel jo të kënaqshëm të mirëmbajtjes dhe sanimit të rrugëve për çka ju mund ta vërtetoni dhe me fotot që po ju prezantojmë. Si ilustrim kemi dhënë edhe disa fotogragfi që pasqyrojnë më së miri cilësinë e dobët të punimeve. Për shembull, rruga Bukosh-Reqan, rruga “Hasan Prishtina”, e cila tri herë është meremetuar dhe përsëri është në gjendje të dëmtuar, “Rruga e dëshmorëve” në Suharekë e shumë rrugë të tjera”, shtoi kryetari i degës së LDK-së në Suharekë.

Rruga Bukosh-Reqan

“Rasti më eklatant – lidhet kontrata, bëhen pranimet teknike, ekzekutohet pagesa dhe për çudi rruga nuk ndërtohet fare. Siç është rasti te rruga “Ali V. Bytyqi” në Mushtisht ku ekzekutohet pagesa, rruga nuk ndërtohet. Dhe përsëri lidh kontratë me një operator tjetër dhe prapë rruga nuk ndërtohet.

Rruga Ali V.Bytyqi ne Mushtisht

Rasti tjetër i ngjashëm është rruga në Studenqan-zona industriale, ku është ekzekutuar pagesa dhe rruga nuk është ndërtuar fare. Kjo duket qartë është keqpërdorim i hapur i buxhetit të Komunës”, shtoi ai.

Ardian Shala, i cili është deputet në Kuvendin e Kosovës, përmendi edhe gjetje dhe keqpërdorime edhe në fusha të tjera.