Foto: Facebook/LDK Malishevë

LDK në Malishevë largon nga grupi 3 asamblistë dhe i shkarkon nga pozitat në strukturat e partisë

Dega e LDK-së në Malishevë ka njoftuar se ka larguar nga grupi i asamblistëve dhe i ka shkarkuar nga të gjitha pozitat në strukturat e partisë Argjend Thaçin, Driton Kastratin dhe Hamit Limajn.

Vendimi është marrë në një mbledhje të jashtëzakonshme të mbajtur sot pas situatës së krijuar në Kuvendin Komunal, ku asamblisti Argjend Thaçi, sipas LDK-së, është vetëpropozuar kandidat për kryesues të Asamblesë, përkundër vendimit të degës së LDK-së që në asnjë variant të mos hyhet në kombinim me Nismën Socialdemokrate për zgjedhjen e kryesuesit.

“Dega e LDK-së u bënë me dije sekserëve të politikës së Fatmir Limaj, Januz Kastratit, Fatmir Ademaj e disa të tjerëve se politikat e Nismës socialdemokrate nuk kanë vend në degën e LDK-së në Malishevë. Gjithashtu dega e LDK-së në Malishevë vazhdon fuqishëm aktivitetin politik në asamblenë komunale me asambleistët e LDK-së e që me veprimet e tyre si opozitarë do të jenë në interes të qytetarëve të Malishevës”, thuhet në njoftimin e Degës së LDK-së në Malishevë, e cila ka falenderuar asamblistët që i qëndruan besnikë vendimeve të partisë.

Argjend Thaçi është zgjedhur sot kryesues i Asamblesë së Malishevës.