LDK mohon që kërkoi 7 ministri nga VV

Zëdhënësi i LDK-së dhe kandidati për deputet, Besian Mustafa, ka mohuar që kjo parti ka kërkuar shtatë ministri nga Lëvizja Vetëvendosje në negociatat për bashkëqeverisje.

Mustafa për KALLXO.com tha se kjo temë nuk është diskutuar ende dhe një gjë e tillë do të ndodhë tek pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Temat politike, si organizimi final i Qeverisë dhe ndarja e dikastereve mes LDK-së dhe VV-së, nuk janë diskutuar ende dhe priten të diskutohen menjëherë pas certifikimit të rezultateve nga KQZ”, tha ai.

Në media gjatë ditës së sotme ka qarkulluar një informacion se Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar 7 ministri nga Lëvizja Vetëvendosje.

Por në anën tjetër, lideri i VV-së, Albin Kurti sot ka thënë se do të takohet nesër (22 nëntor) me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, pasi që sipas tij nuk ka kohë të humbet sepse certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve bëhet javën që vjen.

7 nëntori ka qenë data e fundit që kur Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë takuar për të diskutuar për harmonizimin e programit qeverisës. Takimet e grupeve punues për harmonizimin e planprogramit qeverisës mes këtyre partive kishin filluar me 18 tetor 2019.

Në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, më së shumti vota mori Lëvizja Vetëvendosje me 26,15 për qind, pasuar nga LDK-ja me 24,45 për qind,

Ndërkohë, rinumërimi i më shumë se gjysmës së vendvotimeve ka shtyrë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve.