LDK me tri propozime për Qeverinë e Kosovës për dalje nga kriza

Ish-kryeministri dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se janë tri probleme politike dhe ekonomike që i kanë përcjellë qytetarët e Kosovës gjatë kësaj periudhe.

Hoti ka paraqitur edhe tri propozime të LDK-së për dalje nga kriza.

Sipas Hotit tri problemet kanë të bëjnë me krizën energjetike, krizën e çmimeve dhe një pasiguri globale që është krijuar nga lufta në Ukrainë.

“Ne kemi tri propozime. Masa e parë e menjëhershme është të bëhet indeksimi i të gjitha skemave pensionale e sociale me inflacionin, së paku për të mbuluar produktet bazike. E dyta është subvencione në bujqësi. Rritja e kostove të imputeve bujqësore shkon edhe qind për qind. Ftoj Qeverinë që të ketë rritje të menjëhershme të subvencionimit në bujqësi”, ka thënë ai.

Sipas Hotit si masë e tretë duhet të rikthehet debati për pagën minimale.

“Dhe masa e tretë është t’i ktheheni debatit për pagën minimale. Duhet të gjendet gjuha e përbashkët. Duhet të bëhet indeksimi i pagave në sektorin publik, të gjitha këto masat janë të përballueshme për buxhetin e shtetit”, tha Hoti.