Logo e LDK-së - Foto: Facebook

LDK: LVV-ja kur ishte opozitë kundërshtonte që KOSTT të paguante rrymën në veri

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një reagimi ka deklaruar se propozimi i sotëm i deputetëve të Vetëvendosjes që KOSTT të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike për konsumatorët në veri të vendit tregon qartë që “Qeveria Kurti po ndërmerr të gjitha veprimet që i kishte kundërshtuar në të kaluarën”.

Sipas LDK-së, LVV sa ishte parti opozitare, për disa vite rresht e me plot ngulm kishte kundërshtuar një veprim të tillë.

“Madje, në kohën tonë të përbashkët opozitare, kishim bashkëorganizuar interpelancë ndaj qeverisë së PAN-it; e cila kishte nisur këtë praktikë.Tani që është në pushtet, veprimet kundërshtuese – të opozitës së dikurshme tani me pushtet absolut – duket se janë tjetërsuar në tërësi. Sërish, edhe një herë e për të satën herë në këtë fillim, premtimet e kauzat opozitare të tyre dalin të jenë mashtrim”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Kjo parti ka deklaruar se do të vëzhgojë nga afër zotimet e deputetëve të Vetëvendosjes se brenda gjashtë muajsh Qeveria Kurti “do të shtrijë autoritetin dhe kontrollin në katër komunat veriore duke siguruar që qytetarët atje do të paguajnë faturat e tyre të energjisë”.

“Pagesa prej 11 milionë eurove do të bëhet nga KOSTT. KOSTT është aset i qytetarëve të Kosovës; prandaj e njëjta bëhet nga xhepat e qytetarëve të Kosovës. Për më tepër, brenda këtyre gjashtë muajve Qeveria Kurti do të obligohet që përmes rishikimit buxhetor të ia kthej këto mjete KOSTT-it. Pra, pavarësisht nëse sot paguan KOSTT e pas gjashtë muajsh paguan Qeveria, paratë dalin nga pasuria e qytetarëve të Kosovës.Ky vazhdim pagese tregon poashtu se Qeveria nuk ka plan të qartë për dalje nga kjo situatë. Deklarata e shumicës se Qeveria dorëzohet para ligjshmërisë në Veri e frika e kthimit të “policëve në arkivol” është sa skandaloze aq edhe dorëzuese; mbi të gjitha është deklaratë ofenduese për të gjitha forcat në detyrë. LDK poashtu përkujton të gjithë qytetarët e Kosovës se pavarësia energjetike e Kosovës është mbyllur tashmë dhe se qeveria e re duhet me profesionalizëm të mirëmbaj këtë pavarësi”, thuhet tutje në reagimin e LDK-së.

Me 6 vota për dhe 3 kundër, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka votuar që në 6 muajt e ardhshëm, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ky ka qenë propozimi i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila.

Propozimi i saj, i cili është përbërë nga 5 pika, e ka liruar Qeverinë e Kosovës nga përgjegjësia për pagesën e 11 milionë eurove të kërkuara nga KOSTT. Sipas saj për shkak se KOSTT ka mundësi financiare të mbulojë këtë shumë deri në një zgjidhje afatgjate.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës duke akuzuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje se votuan për ndarjen e 11 milionë eurove nga buxheti i Kosovës për të paguar rrymën e  shpenzuar nga banorët serbë në veri të vendit.