Avdullah Hoti LDK

LDK lidh marrëveshjen edhe me Listën Serbe

I propozuari i LDK-së për kryeministër të ardhshëm, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se përveç se kanë nënshkruar koalicion me AAK-në, kanë përmbyllur marrëveshje edhe me një pjesë të madhe të komuniteteve jo-shumicë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Hoti shtoi se marrëveshjen e kanë përfunduar edhe me Listën Serbe.

“Ata do të kenë pjesëmarrje ashtu si kanë pasur në qeverinë tash që është në detyrë. Do t’i bëjmë publike sapo të përfundojë me të gjithë”, tha ai.

Hoti shtoi se është i kënaqur me koalicionin e arritur me AAK-në dhe partnerët e tjerë të koalicionit.

“Ne sot i kemi përmbyllur një pjesë të madhe të bisedave me partner të koalicionit. Kemi përmbyllur marrëveshjen me AAK-në edhe me një pjesë të madhe të komuniteteve jo-shumicë. Po presim që edhe me partnerë të tjerë gjatë ditës t’i përmbyllim marrëveshjet. Besoj që shumë shpejt pastaj do të dalim para Kuvendit të Kosovës për të kërkuar besimin në mënyrë që sa më parë të formojmë qeverinë e re”, tha ai.

Ai shtoi se sot presin që t’i përmbyllin marrëveshjet edhe me parnerët e tjerë.

“Parimet që i kemi bazuar në atë marrëveshje është programi qeverisës i LDK-së, të cilin ne e kemi prezantuar ma herët. Dhe i kemi vendosur kriteret për të qeverisur bashkë duke u siguruar që rendi dhe ligji është mbi të gjitha”, theksoi Hoti.

Ai foli edhe për kreun e AKR-së Behgjet Pacolli.

“Nuk e di saktë ku është [Pacolli], por AKR sic ka thënë dje do të jetë pjesë e këtij koalicioni qeverisës”, tha ai.

“Deklarimet që janë bërë nga z. Veseli janë deklarime të tij, ne jemi duke bërë përpjekje për një koalicion qeverisës funksional për ti dalë vendit zot në këtë kohë të pandemisë. Do të ketë një komunikim si asnjëherë më përpara mes pozitës dhe opozitës”, shtoi Hoti duke iu përgjigjur kreut të PDK-së Kadi Veseli i cili tha se deputetët e partisë së tij nuk do të votojnë një qeveri “mashtruese”.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj sot bëri të ditur se kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në.

“Sot u takuam me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe të nominuarin për kryeministër, Avdullah Hoti. Unë isha me të nominuarin tonë për zëvendëskryeministër, Besnik Tahiri. Pra sot është arritur marrëveshja për bashkëqeverisje”, tha ai para gazetarëve.

Sipas marrëveshjes, AAK-ja pritet t’i ketë nën udhëheqje katër ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë.

“Zëvendëskryeministri i parë do të jetë z. Besnik Tahiri, pastaj, ministre e jashtme do të jetë zonja, Meliza Haradinaj- Stublla. Ajo nuk është e familjes sime, njëkohësisht për ministër të Drejtësisë do të jetë z. Selim Selimi, ministër i Zhvillimit Ekonomik do të jetë Blerim Kuqi dhe ministër i Arsimit do të jetë profesor,  Ramë Lika”, tha tutje Ramush Haradinaj.