Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

LDK kushtëzon votimin në Kuvend, kërkon nga Qeveria t`i zhbllokojë mjetet vetanake të komunave

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kushtëzuar votimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë si dhe pikave të tjera të rendit të ditës.

LDK po kërkon nga ministri i Financave që të zhbllokojë mjetet vetanake të komunave të Kosovës.

“Derisa ministri t’i zhbllokojë mjetet vetanake të komunave, ne nuk do të votojmë për asnjë pikë të rendit të ditës. Nëse ministri del dhe zotohet se do i zhbllokojë mjetet vetanake të komunave të Kosovës, ne do të votojmë për”- ka deklaruar Vlora Dumoshi nga LDK.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se në komisionin për grante miratuam buxhetin për komunat që është sipas tij nënivelin më të lartë ndonjëherë si rezultat i të hyrave të Qeverisë.

“Së fundi në komisionin për grante miratuam buxhetin për komunat që është nivelin më të lartë ndonjëherë si rezultat i të hyrave të Qeverisë dhe si rezultat që ato të hyra pastaj përcillen një pjesë e tyre qoftë përmes grantit të përgjithshëm tek komunat qoftë përmes granteve specifike”- ka deklaruar Murati.

Ai tha se Komuna e Prishtinës ka përuruar sot punimet e një shkolle, ndërtimit të së cilës sipas Muratit i është dhënë drita e gjelbër nga komiteti publiko-privat i Qeverisë, teksa përmendi edhe zgjerimin e rrjetit të Termokosit që ka të bëjë me kryeqytetin.

“Pra nuk bëhet fjalë për bollokim të fondeve të komunave, çka është problemi ka qenë një amendamentim i grupit paralamentar të juaj që nëse kërkohet sepse amendamenti juaj është bërë gabim, nëse kërkohet nga grupi i LDK-së që ta korrigjojë unë si ministër atë gabim që e keni bë, unë e bëjë, mirëpo kërkesa do të duhet të vijë nga ju”- ka shtuar Murati.

Kreu i grupit paralmentar të LDK-së, Arben Gashi tha se partia e tij ka bërë amendament për ligjin për buxhetin që i heq nga ligji marrjen e të hyrave vetanake të komunave dhe dërgimin e tyre në buxhetin që menaxhon Qeveria.

“GP e i LDK-së ka bo amendament që i heq nga ligji marrjen e të hyrave vetanake të komunave dhe dërgimin e tyre në buxhetin që menaxhoni ju. Ministri e ka shkaktu këtë problem dhe po mendon që duke u sjellë me gjuhë të pasjellshme, kujton se mundet në çdo seancë me folë duke thënë që amendamenti gabim, fol sa të duash sepse ti zotëri ke dashtë me i marrë të hyrat e komunave me i menaxhu prej qeverisë, kjo nuk mundet me ndodhë”- u shpreh Gashi.

Deputeti i LDK-së, theksoi se 187 projekte në komunën e Prishtinës janë bllokuar.

“Ne nuk kemi problem me ligjin, nëse ministri ka problem me ligjin dhe vlerëson përkundër se çka i ka thënë zyra e tij ligjore le ta sjellë dhe ta ndryshojë dhe vazhdojmë, por nuk po don, don me u sjellë si kapadai. 187 projekte të projektune dhe të buxhetune në Prishtinë janë që ministri nuk është t`u i zbatu”- tha ai.

“Më proritet janë 187 projekte veç në një komunë të bllokune se sa 5 studentë që ndoshta a munden me e ditë gjuhen franceze që i plotësojnë kriteteret me studiu”- shtoi ai.

Në kundërpërgjigje të Gashit, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se e fton deputetin që të tregojë nëse ka informata nëse ndonjë projekt i fushës së arsmit është bllokuar.

“Sa i përket projekteve apo ato që u përmenden që janë blloku nga Komuna e Prishtinës, unë ftoj deputetin Gashi ose këdo që ka informatë për çfarëdo projekti në fushën e arsimit i cili nuk ka ecur tutje, unë marrë përsipër personalisht të angazhohem, sepse nuk ka asnjë projekt të tillë, pra nuk qëndron se ka projekt të bllokuar në Komunën e Prishtinës”- u shpreh Nagavci.

“Si ministri disa herë kemi dërguar kërkesat dhe jemi në pritje të plotësimit të dokumentacionit nga Komuna e Prishtinës për investime në ndërtimin e çerdheve dhe infrastrukturës tjetër në komunë”- shtoi mes tejrash ajo.

Dy javë më parë, LDK së bashku me partitë tjera në opozitë, PDK dhe AAK, ishin larguar nga seanca e Kuvendit.

Deputeti Gashi pati deklaruar se sjellja e papërgjegjshme e ministrit të Financave duke provuar me çdo kusht ta marrë buxhetin e komunave, është e papranueshme.

“Sjellja e papërgjegjshme e ministrit të financave duke tentuar që me çdo kusht të marrë buxhetin e komunave na pamundëson që të jemi konstruktiv në seancat e Kuvendit. Ministri nuk po e kupton që ligji për buxhetin është me karakter të afatizuar, fillon më 1 janar dhe përfundon më 31 dhjetor”- tha Gashi.

Sipas Gashit, paaftësia e ministrit ka sjellë një situatë që LDK-ja nuk do të marrë pjesë në asnjë votim, në seancë në komisione, nuk do të votojnë marrëveshje ndërkombëtare dhe do ta shqyrtojnë edhe votimin në mbledhjet e Kryesisë.

Opozita braktis seancën