Avdullah Hoti gjate konferences per media te LDK-se Foto: LDK

LDK: Kushtetuesja të mos e shqyrtojë Kushtetutën e Serbisë, në këtë mënyrë mohohet pavarësia e Kosovës

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese komentet lidhur me dekretin e Presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit si kandidat për kryeministër të Kosovës.

Me 30 prill 2020, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi së bashku me 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës kanë parashtruar pranë Gjykatës Kushtetuese, kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit Hashim Thaçi, me të cilin Avdullah Hoti i propozohet Kuvendit të  Kosovës si kandidat për Kryeministër, për të formuar Qeverinë e re.

Ndërsa me 1 maj 2020, Gjykata Kushtetuese e aprovoi kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për caktimin e masës së përkohshme, pezullimin e këtij vendimi deri me datë 29 maj 2020.

Në përgjigjën ndaj kërkesës së parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje, Grupi Parlamentar i LDK-së në tërësi i ka kundërshtuar pretendimet për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit Thaçi, sipas LDK-së Dekreti i Presidentit është nxjerrë në pajtim të plotë me Kushtetutën, prandaj të njëjtit i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese që pasi ta trajtojë çështjen, ta refuzojë kërkesën si të pabazuar.

Madje përmes shkresës së drejtuar Gjykatës Kushtetuese, LDK i ka kërkuar Kushtetueses që të përjashtojë shqyrtimin e Kushtetutës së Serbisë për shkak se, sipas LDK-së, referimi e më pas shqyrtimi i një akti të tillë shprehimisht e mohon shtetësinë e Kosovës.

KALLXO.com ka siguruar komentet e LDK-së lidhur me çështjen e ngritur nga deputetët e LVV-së për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit.

LDK ka deklaruar se ndonëse LVV pretendon se pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, Presidenti ka qenë i obliguar që të shpërndajë Kuvendin, sipas LDK-së një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur për shkak se të gjitha subjektet e tjera politike kanë qenë të mendimit që vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje dhe të njëjtit kanë kërkuar krijimin e një Qeverie te re, pa e çuar vendin në zgjedhje.

“GP-LDK vlerëson se Presidenti nuk ka të drejtë që me automatizëm ta shpërndajë Kuvendin sipas nenit 82 pika 2, pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, pa e pasur paraprakisht vullnetin e shumicës së subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend. Në rastin konkret, sikur Presidenti do të shpërndante Kuvendin pa vullnetin paraprak të shprehur nga shumica e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend, ai në mënyrë arbitrare do të ndërprente mandatin e deputetëve të Kuvendit, rrjedhimisht do të bënte shkelje të rëndë kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e Grupit Parlamentar të LDK-së.

Sa i përket dilemës lidhur me interpretimin e nenit neni 82, paragrafit 2, të Kushtetutës, sipas LDK-së, Presidenti nuk ka mundur që me automatizëm të shpërndajë Kuvendin dhe vendin ta dërgoj në zgjedhje, jo vetëm për shkak të ndajfoljes “mund”, por edhe për faktin se sipas LDK-së, hartuesit e Kushtetutës, momentin kur ka votim të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë nuk e kanë përcaktuar si moment kur vendi automatikisht shkon në zgjedhje, por kanë lënë mundësi që të evitohen zgjedhjet, të krijohet shumicë parlamentare, apo rrjedhimisht të themelohet një Qeveri e re.

“Kjo çështje vërtetohet edhe në Komentarin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës ku taksativisht thuhet se “Në krahasim me situatat e lartpërmendur në rastin konkret neni është shumë karakteristik, sepse Kuvendi i Kosovës MUNDET (por jo domosdoshmërisht) të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nëse ndodh votimi i mocioni të mosbesimit”, thuhet në përgjigjen e LDK-së.

Përkundër pretendimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës argumenton se sipas tyre ekziston lidhja kauzale ndërmjet nenit 82 paragrafi 2 dhe nenit 95 paragrafit 4 dhe 5 të Kushtetutës.  Sipas LDK-së, lidhja kauzale ndërmjet këtyre paragrafëve kushtetues ekziston për faktin se Qeveria ka rënë (si rrjedhojë e mocionit të mosbesimit) dhe se Presidenti i Republikës ka vazhduar konsultimet me partitë politike te përfaqësuara në Kuvend për të mandatuar kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.

“Neni 82 paragrafi 2 i Kushtetutës përcakton se: “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”, ndërsa neni 95 paragrafi 5, përcakton se: “Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”, thuhet në përgjigjen e LDK-së, kundrejt kërkesës për vlerësim të kushtetueshërisë së Dekretit të Presidentit.

E lidhur me dilemën me çështjen e afatit të përcaktuar për të dërguar emrin e kandidatit për Kryeministër për mandatim tek Presidenti, ndonëse LVV pretendon se ky afat është i pakufizuar në kohë, LDK vlerëson se Kushtetuta nuk e ka përcaktuar shprehimisht një afat të caktuar në këtë fazë, por ka përcaktuar afatin prej 15 ditësh pas mandatimit nga Presidenti, kur Kryeministri është i obliguar të paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit.

“Hartuesi i Kushtetutës e ka lenë këtë afat të hapur, sepse ka konsideruar se është në interes të subjekteve politike te përfaqësuara në Kuvend, si dhe është interes publik që Qeveria të themelohet në afatin më të shpejtë të mundshëm. Por, tanimë po vërtetohet se moscaktimi i një “afati të arsyeshëm” për dërgimin e emrit të kandidatit për Kryeministër për t’u mandatuar nga Presidenti i Republikës mund të keqpërdoret deri në abuzim nga fituesi relativ i zgjedhjeve”, thuhet në shkresën e LDK-së.

Sipas LDK-së Presidenti është i detyruar që t’i shterojë të gjitha mundësitë, brenda një afati optimal, në mënyrë që t’i mundësojë fituesit të zgjedhjeve propozimin e kandidatit për Kryeministër dhe se në momentin kur Presidenti vlerëson se fituesi i zgjedhjeve nuk ka vullnet për propozimin e kandidatit për Kryeministër, atëherë Presidenti duhet të konsultojë subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend dhe në rastin kur subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend ia dëshmojnë krijimin e një shumice të re parlamentare, Presidenti është i detyruar që në pajtim me normën kushtetuese, ta dekretojë mandatarin për Kryeministër nga kjo shumicë e re parlamentare.

“Ne vlerësojmë se LVV, përveç që nuk e ka dërguar tek Presidenti kandidatin e saj për Kryeministër, ajo asnjëherë nuk ka shprehur gatishmëri për ta themeluar Qeverinë e re. LVV-ja nuk ka ndërmarr asnjë veprim brenda forumeve të saj partiake dhe nuk ka zhvilluar asnjë takim me subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend për të tentuar që të krijojë shumicë të re parlamentare. Prandaj, duke marrë parasysh të gjitha këto fakte dhe rrethana, mund lehtësisht të konstatohet se LVV-ja qartazi ka refuzuar të caktojë kandidatin e saj për Kryeministër dhe, për më tepër, ka tentuar që të bllokojë themelimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Grupit parlamentar të LDK-së.

Ndër të tjera përpos që Grupi Parlamentar i LDK-së në shkresën drejtuar Gjykatës Kushtetuese si përgjigje në kërkesën e LVV-së, është thirrur në disa raste të ngjashme të trajtuara nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, raste të cilat i ka kërkuar Gjykatës që t’i ketë për bazë me rastin e trajtimit të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje, ata i kanë kërkuar Kushtetueses që të përjashtoj shqyrtimin e Kushtetutës së Serbisë, kjo për shkak se sipas LDK-së, referimi e më pas shqyrtimi i një akti të tillë shprehimisht e mohon shtetësinë e Kosovës.

“GP-LDK kërkon nga Gjykata që  të  PËRJASHTOJ shqyrtimin e Kushtetutës së Serbisë nga analiza krahasuese e ofruar nga parashtruesi i kërkesës. Kjo për shkak se shqyrtimi i një dokumenti ku SHPREHIMISHT mohohet shtetësia e Kosovës, mund të prodhojë pasoja të paparashikueshme kushtetuese dhe politike për vendin”, thuhet në përgjigjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas LDK-së mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë ka të bëjë me mandatin e Qeverise dhe jo me përfundimin e mandatit kushtetues të legjislativit, në këtë rast, Kuvendit.

Grupi parlamentar i LDK-së pretendon se Kryeministri në detyrë, i shkarkuar me mocion nga deputetët e Kuvendit, në asnjë rast nuk mund të imponojë shpërndarjen e Kuvendit, sipas tyre një gjë e tillë nuk do të kishte kuptim, nëse pas çdo mocioni shpërbëhet vet Kuvendi, sepse mocioni i mosbesimit është aplikuar ndaj Qeverisë dhe jo ndaj Kuvendit.

Përpos argumenteve me të cilat pretendojnë që Dekreti i Presidentit është i ligjshëm, LDK ka ofruar edhe disa vlerësime mbi domosdoshmërinë e themelimit të Qeverisë së re.

Sipas LDK-së, pasojat e mungesës së Qeverisë me kompetenca të plota kushtetuese mund të jenë: Pamundësia e respektimit të parimit të ndarjes së pushteteve dhe kontrollit parlamentar ndaj organeve ekzekutive, Pamundësia për të proceduar projektligje, Pamundësia për të pasur nisma të ndryshme për adresim në Kuvend, Pamundësia për të propozuar dhe miratuar pako sociale e fiskale, Pamundësia e marrjes së vendimeve për t’i mbështetur bizneset dhe kategori të caktuara shoqërore si dhe Pamundësia për të plotësuar dhe ndryshuar Ligjin e Buxhetit.

Andaj duke u bazuar në të lartpërmendurat LDK i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që ta refuzoj kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të konstatoj se Dekreti i Presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit si kandidat për kryeministër të Kosovës, është në përputhshmëri me dispozitat përkatëse të Kushtetutës së Kosovës.

Iniciativa  për formimin e Qeverisë së re ka ardhur pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti më 25 mars.

LDK-ja e cila ishte edhe partnere e këtij koalicioni kishte iniciuar mocion për shkak të mospajtimeve për tarifën si ndaj mallrave serbe dhe boshnjake dhe shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Pas votimit të mocionit të mosbesimit, më 01 prill 2020, Presidenti Hashim Thaçi e ka ftuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin për konsultime, për t’i kërkuar propozimin e  kandidatit për kryeministër.

Pas 5 letrave dërguar Lëvizjes Vetëvendosje, Presidenti Thaci ka konstatuar se LVV-ja refuzon të dërgojë mandatarin për Kryeministër dhe atëherë i ka ftuar në takim të gjitha partitë politike, të cilat i ka pyetur nëse janë për zgjedhje apo për formim të Qeverisë së re.

Përpos LVV-së, të gjitha partitë e tjera politike kanë deklaruar se nuk e përkrahin idenë që vendi duhet të shkoj në zgjedhje, kurse LDK-ja me përkrahjen e disa partive të tjera ka shprehur interesim për krijimin e Qeverisë së re.