Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK kundërshton futjen në rend ditë të raportit të AKP-së dhe bordit ARKEP-it

Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë që nuk e përkrahin mocionin që në rënd të dite të futet  raporti vjetor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit si dhe ai i bordit ARKEP.

“Kërkesa për të fut në rend të ditës çështje të cilat nuk i’u kanë shpërndarë deputetëve dhe deputet nuk janë të gatshëm me i diskutu dhe trajtu në mënyrën serioze është e paarsyeshme dhe ne si grup parlamentar nuk përkrahim ide të tilla”, tha ai.

Sipas Gashit, këto janë çështje serioze të cilat nuk po trajtohen me seriozitet.

“Çështjet po vinë në Kuvend me urgjencë, s’po kuptojmë pse këto urgjenca, me urgjencë ligjet vendimet, pa u shqyrtu në grupet parlamentare, ky imponim po më duhet i paarsyeshëm, është e paarsyeshme që sot të merremi me çështjen e ARKEP dhe bordit të AKP-së. Këto janë propozime të rëndësishme dhe po trajtohen në mënyrë joserioze”, tha ai.

Mimoza Kusari Lila, u.d. kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në seancën e sotme, propozoi që të futen dy pika shtesë të rendit të ditës.

Ajo kërkoi që të futen në rend dite raporti vjetor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit si dhe ai i bordit ARKEP.

Për këtë reagoi deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili e kundërshtoi një gjë të tillë, pasi sipas tij, ka kërkuar sqarime shtesë nga AKP për kërkesën e kryeministrit, Albin Kurti që të mos bëjë privatizime në shkurt të këtij viti.

“Unë kam bërë një opinion të ndarë për problematikën, pse po nguteni, çka po i frikësoheni opinionit, nëse është e vërtete që në komision kanë dal të dhëna shqetësuese për thirrjen e kryeministrit që i ka bo AKP në ditën kur po merrej vendim për kthimin e asteve të tokës bujqësore, me ndërpre atë proces 15 minuta para vendimmarrjes”, tha Shala.