LDK kundër Ligjit për paga: Nuk e dimë sa është vlera e koeficientit

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka dhënë qëndrimin e LDK-së për Projektligjin për paga në sektorin publik, duke treguar se janë kundër.

Po ashtu, ajo ka shtuar se me projektligj ende nuk dihet vlera monetare e koeficientit që përcakton pagat.

Po ashtu, sipas saj kryeministri Albin Kurti dhe ministri Hekuran Murati duhet të deklarohen se kur ky projektligj hyn në fuqi nëse miratohet sot.

“Ne ende nuk e dimë sa është vlera monetare e koeficientit. E kjo bëhet edhe më skandaloze kur lexojmë nenin 9 i cili thotë që vlera e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit dhe ne e dimë që ka kalu. Ministri dhe kryeministri duhet me na tregu që nëse ky miratohet kur ka me hy në fuqi. S’ka pasë kosto buxhetore as amendamenteve nuk keni pasë mundësi me ju caktu kosto buxhetore. Zyrtarët duhet ta dinë se as deputetët nuk e dinë se kur ky ligj do të hyjë në fuqi” – ka thënë deputetja Bajrami.

Ajo tutje ka thënë se paga e zyrtarëve publikë do të jetë subjekt i vendimeve të qeverisë me nenin që thotë se vlera e koeficientit përcaktohet me ligjin për buxhetin.

Ndërsa, deputetja ka shtuar se asnjë amendament i propozuar nga LDK nuk është miratuar në komision.

“Asnjë amendament as i ligjit për zyrtarët publikë as për paga nuk është marrë parasysh nga deputetët e mazhorancës. Asnjë amendament i opozitës nuk është votu” – ka thënë ajo.

Sot, Kuvendi ka miratuar Ligjin për zyrtarët publikë ndërsa sipas deputetes së LDK-së, “të metat” e atij ligji do të barten tek Ligji për Pagat.

“Shumë të meta që u votuan ne Ligjin për zyrtarët publikë barten dhe bëhen pjesë e këtij ligji. Fondi i sigurimeve shëndetësore nuk trajtohet fare në këtë ligj dhe institucione tjera që mund të dëmtohen. “Pa u adresu këto çështje ne nuk mund të japim mbështetje për këtë ligj”- ka thënë Bajrami.

Me 9 dhjetor, me 68 vota për, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për paga në sektorin publik.

Drafti i Ligjit për paga në sektorin publik, i miratuar javën në kaluar në Qeveri, parasheh që ky ligj të hyjë në fuqi një muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Në muajin shkurt në media rrodhi një draft i Projektligjit për Paga në sektorin publik, në të cilin koeficientët ishin nga 1 deri në 20. Në atë kohë pati reagime e pakënaqësi nga kategori të ndryshme të zyrtarëve publikë në lidhje me koeficientët. Por, në atë draft të projektligjit nuk ishte përcaktuar vlera e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji ndërsa në vitet pasardhëse do të përcaktohej në Ligjin për buxhetin. Që nga ajo kohë më nuk është prezantuar ndonjë draft apo propozim tjetër nga qeveria.

Projektligji i Pagave në Sektorin Publik nuk u miratua në Kuvend gjatë muajit mars.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.