Ndërtesa e Komunës së Suharekës | Foto: KALLXO.com

LDK kujton Ukë Bytyçin në 18-vjetorin e vrasjes

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në 18 vjetorin e vrasjes ka përkujtur veprimtarin e LDK-së, ish-kryetarin e Komunës së Suharekës, Ukë Bytyçin.

Mustafa përmes një telegrami përkujtimor e quajtur goditje të rëndë vdekjen e veprimtarit.

“Uka ishte një personalitet i veçantë, i urtë e modest, punëtor dhe shumë i afërt me të gjithë qytetarët, kjo u dëshmua edhe në fitoret e tij plebishitare. Ai ishte një prej themeluesve të LDK-së, kryetar shumëvjeçar i LDK-së në Suharekë, mik i afërt i Presidentit Rugova dhe pjesë e plejadës së burrave të mëdhenj që dhanë kontribut në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Kreu i LDK-së më tej ka thënë se Ukë Bytyçin do ta kujtojnë përherë si pishtar i demokracisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.

“Menjëherë pasi ai shënoi fitore në Suharekë, u qëllua pabesisht nga shkrepjet e disa keqdashësve që nuk ia donin të mirën as LDK-së, Suharekës dhe as Kosovës dhe vrasja e tij ishte mënyra e vetme për ta mposhtur atë në fitoret e vazhdueshme të tij. Vrasja e tij ishte një goditje e rëndë për Kosovën dhe institucionet e saj”, përfundoi Mustafa.

Ukë Bytyçi, bashkë me dy përcjellësit Bafti Bytyçi dhe Bajram Bajrami, u vranë në fshatin Leshan të Suharekës derisa po festonin fitoren në zgjedhje.