Departamenti i Arsimit të LDK-së në konferencë për media, 14.08.2024.
LDK kritikon vendimin e Ministrisë së Arsimit për subvencionimin e librave dhe mjeteve shkollore
Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur e shqetësuar me vendimin e Ministrisë së Arsimit që subvencionimi i librave dhe mjeteve shkollore të bëhet përmes metodës së vjetshme.
“Shprehim shqetësimin tonë që për herë të dytë Ministria e Arsimit dështon t’i sigurojë librat shkollorë dhe kjo dëshmon që kjo Ministri është e paaftë” – tha Jehona Lushaku, kryetare e Forumit të Gruas në LDK dhe drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë në një konferencë për media, më 14.08.2024.
Si element shumë i rëndësishëm po konsiderohet mungesa e mekanizmave që masin rezultatet e kësaj metode të re dhe nëse prindërit i kanë blerë librat.
“Sa prindër nuk janë subvencionuar? Sa prindër që nuk jetojnë në Kosovë janë subvencionuar? A kanë shkuar paratë për blerjen e librave?” – ishin disa prej pyetjeve të ngritura nga Lushaku, e cila shoqërohej nga një grup njerëzish, pjesë e departamentit të arsimit në LDK.
Përveç se i gabuar, LDK po e cilëson vendimin edhe si të vonuar, duke qenë vetëm dy javë larg nisjes së vitit të ri shkollor.
Si rrjedhojë, LDK konsideron se nxënësit nuk do të mund t’i kenë librat me 2 shtator dhe procesi mësimor do të pësojë humbje.
Duke qenë se këtë vit, librat do të subvencionohen edhe për klasat 6-9, ndryshe nga viti i kaluar që kanë përdorur librat e vitit paraprak, LDK kërkon të dijë se sa do të jetë kostoja totale sivjet.
Edhe pse vetë e bindur se kjo metodë është më e kushtueshme, Lushaku kritikoi Qeverinë edhe për mos ofrimin e një përgjigjeje nëse ky proces vitin e kaluar ka qenë më i lirë apo më i shtrenjtë për buxhetin e shtetit.
“Është tepër shqetësuese që përkundër faktit që edhe vjet e kemi kritiku Qeverinë, nuk kemi marrë përgjigje se a është kjo metodë më e lirë apo më e shtrenjtë, gjë që e kemi aluduar vitin e kaluar” – tha Lushaku.
Edhe pse sipas saj, është e ditur se çmimet e blerjeve me pakicë janë më të larta se sa blerjet me shumicë.
Ajo përmendi edhe mungesën e libraritë në komuna më të vogla dhe mungesën e garancisë nëse çmimi minimal i librave do të ndryshojë.
Ndonëse për vendimin pati vetëm fjalë të këqija, si Drejtoreshë e Arsimit ajo tha se është e detyruar ta respektojë hierarkinë dhe vendimin e Qeverisë dhe se do të ofrojë ndihmën e saj te prindërit.
Edhe partia tjetër opozitare, PDK sot mbajti konferencë për media duke kritikuar këtë vendim, që e qujati eksperiment të pakuptimtë.
Ministrja Nagavci njoftoi dje (13.08.2024) se edhe këtë vit shkollor do të subvencionohet blerja e librave ngjashëm si në vitin e kaluar shkollor 2023/2024, për prindërit që aplikojnë përmes platformës e-Kosova.
Ky vendim u konsiderua i gabuar edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).
Lidhur me subvenciminin e librave për vitin e kaluar shkollor janë ngritur dyshime nga opozita në Kuvendin e Kosovës.
Për këtë qëllim në Kuvend është krijuar një komision i veçantë hetimor që po merret me hulumtimin e rastit- nëse ka pasur ose jo keqpërdorime në këtë proces.