LDK kritikon qasjen e Kurtit në dialogun me Serbinë

Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi ka deklaruar se mungesa e platformës së dialogut me Serbinë, me objektiva të qarta të prezantuar në Kuvend para dhe pas çdo takimi, do të reduktojë Kosovën në nivelin e performancës për konsum të brendshëm të kryeministrit Albin Kurti.

Sipas saj, procesi i dialogut do të duhet të orientohet në përcaktimin e saktë të vizionit se çfarë në të vërtetë Kosova mëton të arrijë nga ky proces dialogues.

“Deri tani, ajo çfarë kemi parë nga takimet, nuk janë asgjë tjetër pos një mundësi e jashtëzakonshme e Kurtit drejtuar audiencës së tij për të akumuluar fuqi politike. Turma karakterizohet për irracionalitet, i lëvizur me situatat e përafërta me të ngjashmin e vet, andaj qasja e kryeministrit është pa vizion!”, ka shkruar ajo në Facebook.

Të hënën, u mbajt takimi i radhës në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Pas takimit, Kurti tha se ka propozuar një marrëveshje me 6 pika, por që ajo është refuzuar ende pa u lexuar.

“Unë propozova një marrëveshje të shkruar me 6 nene si një deklaratë e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, që u refuzua, pra atë çfarë kisha kërkuar herën e kaluar që të kemi një deklaratë të paqes e kam përgatitur në mënyrë në një tekst me gjashtë nene, mirëpo u refuzua ende pa u lexuar”, tha mes tjerash Kurti.

Sipas tij, refuzimi pa lexim për të tregon mungesë gatishmërie për marrëveshje.

Kurse Vuçiq, tha që nuk janë pajtuar për asgjë duke thënë që kryeministri Kurti është kthyer në shekullin e 19-të.

Në mediat serbe ndërkohë është raportuar se në Serbi është diskutuar mundësia për ndërprerje të dialogut.

Në lidhje me këtë KALLXO.com ka dërguar pyetje në BE, nëse Serbia ka kërkuar ndërprerje të negociatave, dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.